Ditën e enjte Moldavia do të zbarkojë në tokën shqiptare, teksa do të zhvillojë dy seanca stërvitore në Tiranë.
Me takimin që do të luhet ditën e shtunë, kundërshtari i radhës ka arritur të marrë deri tani 2 pikë, dy barazime me Çekinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa për rezultat pozitiv ata do të vijnë edhe në Shqipëri. Kështu të paktën shprehet sulmuesi, Vitali Damashkan, për mediat vendëse:
“Jam i lumtur kur thirrem në kombëtare dhe jam krenar që luaj për Moldavinë. Kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara, ndaj Shqipërisë dhe Polonisë. Ne duam të vazhdojmë fushatën kualifikuese në Tiranë me një tjetër rezultat pozitiv, ashtu siç e nisëm”, tha 24-vjeçari fillimisht, teksa shprehu edhe dëshirën e madhe për të shënuar në Tiranë.
“Sigurisht që dua të shënoj gola, por objektivat e ekipit janë prioriteti im. Ne luajmë, para së gjithash, për publikun. Të gjithë duam të arrijmë rezultate, por ato mund të vijnë vetëm me përpjekje të përbashkëta”, thotë sulmuesi i Moldavisë.
Pasditen e së enjtes kombëtarja moldave, me dakordësinë e FSHF-së do të zhvillojë një seancë stërvitore në Shtëpinë e Futbollit, aty ku kuqezinjtë po vijojnë përgatitjet prej ditësh, ndërkohë një ditë para ndeshjes, ata do të zhvillojnë seancën zyrtare përpara ndeshjes, në stadiumin “Air Albania”, aty ku do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e trajnerit dhe kapitenit.
PANORAMASPORT.AL