Monaco ka fituar thellë ndaj Barcelonës, 97-80 në një atmosferë të ngrohtë prej tifozëve vendas.
Nis kështu play-off-i edhe për këtë çift që e kishin mbyllur praktikisht në vend të katërt Monaco dhe në vend të pestë Barcelona sezonin e rregullt.
Në minutat e para Barcelona me 3 trepikëshat e Punter arrin të marrë avantazhin dhe ta ruajë deri në përfundim të periodës së parë.
Në krahun tjetër përgjigjet mirë Mike James dhe grupi tjetër i lojtarëve francezë, të cilët nuk e permbysin dot në 10 minutat e para por ja dalin në periodën e dytë.
Në pesë minutat e para, Monaco me një parcial 15-0 arrin të kalojë nga -1 në +14 pikë dhe shifrat shënojnë 41-27. Por në 5 minutat e dyta të periodës së dytë Barcelona me një parcial 14-2 arrin të kthejë ekuilibrin dhe pjesa e parë mbyllet 44-42.
Në periodën e tretë shpërthen sërish Monaco me Theis, Okobo dhe me Mike James duke shënuar në këtë 10 minutësh 32 pikë kundrejt 17 të Barcelonës.
Perioda e katërt nisi me një disavantazh të dukshëm në rezultat e lojë mes dy skuadrave dhe me Barcelonën që nis të shfaqë nervozizëm. Në momentin kur Monaco arrin në +19 pikë, 80-61, Strazel bën një interceptim ndaj Satoranskit duke i shënuar dhe koshin, me pas organizatori çek nuk ruan qetësinë dhe lëshon një goditje drejt kundërshtarit dhe gjyqtari e përjashton nga ndeshja.
Tensioni rritet dhe jepen 3 faulla antisportivë dhe 2 faulla teknikë. Barcelona nis të reagojë pas këtij momenti dhe e ul deri në 13 pikë, por nuk mundet më shumë dhe Monaco e vulos fitoren falë një loje shumë të mirë të Mike James me 22 pikë duke shënuar 5 trepikësha, Theis me 22 pikë dhe 85% saktësi në gjuajtje dhe Okobo me 19 pikë dhe 7 assist. Ndeshja e dytë mes skuadrave është të premten sërish në fushën e Monacos.