“Moneyball” është një sistem i shpikur në fillim të viteve 2000 nga Billi Bin, i cili e përdori për të zbuluar lojtarë në baza të karakteristikave që i nevojiteshin.
I bazuar në algoritme dhe statistike, edhe Milani do ta përdorë këtë mënyrë për të gjetur futbollistë që t’i përshtaten nevojave. Personalitetet e para të lidhura me botën e futbollit që përdorën modelin “Moneyball” ishin Metju Benhem (pronari i Brentford) dhe Rasmus Ankersen, ish-trajner i Midtjilandit. E ashtuquajtura sabermetrika bazohet në analizën e performancës dhe në kodimin e të dhënave dhe parimeve.
Danezët kanë nisur të fitojnë kampionate dhe Kupa që nga viti 2014, ndërkohë që nuk kishin fituar kurrë asgjë më parë. Sigurisht, Milani nuk është Midtjilandi dhe kuqezinjtë nuk mund të përballojnë luksin për të shpërdoruar një tjetër sezon merkatoje. Askush nuk thotë se si përdoren të dhënat statistikore, por statistikat më të shpeshta të monitoruara janë xG (golat e pritur), por edhe cilësitë individuale, performanca sportive, gjumi, humori dhe ushqimi.
Gjithashtu vlerësohen mundësitë e përshtatjes në kontekste të ndryshme dhe skuadrat që përvetësojnë këtë filozofi në përgjithësi përdorin edhe këshillat e psikologëve për të plotësuar profilin e lojtarëve të ndjekur. Te Milani, grupi i punës që do të punojë me modelin “Moneyball” do të drejtohet nga Xhefri Monkada, ish-shefi i skautëve të kuqezinjve, i vlerësuar shumë për njohuritë e tij të mëdha dhe kompetencën po aq të madhe të treguar deri tani.
HISTORI SUKSESI – Borusia e Dortmundit përfundoi në vendin e 7-të në Bundesligë në 2014-’15, por sipas Ian Graham, kreu i departamentit të statistikave të Liverpulit, u vu re se performanca e verdhezinjve, në lidhje me cilësinë e ekipit, kishte qenë shumë më e ulët se ajo që duhej të ishte dhe edhe për këtë arsye ata nuk hezituan të nënshkruajnë me Jyrgen Klopin.
Ashtu siç Graham sugjeroi blerjen e Muhamed Salahut, i cili në Angli ishte refuzuar dhe cilësuar si i pamjaftueshëm pas 13 ndeshjeve me Çelsin, por sipas algoritmit, egjiptiani nuk kishte performuar aq ndryshe nga ajo që bëri në Firence dhe Romë. Ja që pjesa tjetër është histori. Por edhe në vitin 2020, sërish te Liverpuli, Diogo Zhota u ble pasi analiza e paraqitjeve të tij me Uolverhemptonin kishte nxjerrë në pah një aftësi të lartë për të bërë pasime të sakta me këmbën e tij të dobët dhe zbuloi se me presionin dhe rikuperimet e tij ai kishte detyruar shpesh kundërshtarët të faullet që dikur quheshin “prej lojtarit të fundit” (tani i klasifikuar si DOGSO).
Tre shembuj që konfirmojnë se si modeli “Moneyball” nuk është i keq në vetvete dhe se në të vërtetë, nëse përdoret me mençuri nga ata që e kuptojnë futbollin, mund të jetë një burim më se i vlefshëm me synimin për të maksimizuar rendimentin, duke minimizuar shtrirjen e investimeve.
PANORAMASPORT.AL