Vdekja e Silvio Berluskonit ka bërë që të ketë shumë pasiguri mbi të ardhmen e klubit të Monzës. Skuadra është në Serinë A dhe me investimet e ish-pronarit të Milanit, po ecte në rrugën e duhur për t’u afirmuar në këtë kategori. Por tashmë trashëgimtarët e tij nuk duan që të kenë më lidhje me botën e futbollit dhe i kanë besuar klubin Adriano Galianit, që ta menaxhojë plotësisht derisa t’u gjejë një blerës.

Sipas mediave italiane, një nga hipotezat më të bujshme është ajo e blerjes së klubit nga gjigandi i pijeve energjike, Red Bull. Ky i fundit ka në pronësi klube të ndryshme nëpër botë, më i famshmi padyshim Lajpcigu në Gjermani i cili po paraqitet në nivelet më të larta.
Por interesi në këtë rast është përtej futbollit, pasi Red Bull kërkon të shfrytëzojë maksimalisht edhe pistën e Formula 1 që është pikërisht në Monza, duke u lidhur edhe më shumë me komunitetin në këtë zonë. Një plan ambicioz, por që për momentin nuk ka parë të hidhet ndonjë hap konkret drejt realizimit të tij.
PANORAMASPORT.AL