Tashmë gjithçka është zyrtare, Alvaro Morata është sulmuesi më i ri i “Djajve” të Milan.
Drejtuesit kuqezinj paguan klauzolën prej 13 milionë euro të vendosur nga Atletico Madrid, dhe tashmë trajneri Paulo Fonseca ka në dispozicion sulmuesin për sezonin e ri, me “bomberin” spanjoll, që ka firmos një kontratë 4-vjeçare, me opsion rinovimin për një tjetër vit.
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se ka blerë me të drejta të plota shërbimet sportive të futbollistit Alvaro Morata nga Atletico Madrid. Kapiteni i kombëtares spanjolle, me të cilën sapo është bërë kampion europian, Morata ka nënshkruar kontratë me klubin kuqezi deri më 30 qershor 2028 me opsion edhe për një vit tjetër”,- thuhet në njoftimin e klubit italian.
Sa i përket pagës, Morata pritet të fitojë 5 milionë euro në sezon, te “Kuqezinjtë” dhe do të mbajë mbi shpatulla numrin 7, numër që më parë i takonte francezit Yacine Adli, me këtë të fundit që ka vendosur të marrë numrin 94. /i.m /abcnews.al