Alvaro Morata është rikthyer në Madrid për t’iu bashkuar Spanjës për finalet e Ligës së Kombeve dhe, duke folur për “Cadena Ser”, komentoi lëvizjet e tij të fundit nga Atletiko Madrid te Milani e më pas për janarin, ku u zhvendos te Gallatasaraj.“Kur kalon kohë të vështira, i shikon gjërat nën një dritë gri edhe nëse ke rreth teje njerëz që të duan dhe të thonë se e ke gabim. Trajneri i Milanit (Fonseka) më telefononte çdo ditë, më duhej të ndihesha i dashur dhe i konsideruar, duhej të vendosja shpejt dhe nuk e kuptova nëse edhe Simeone më donte dhe më konsideronte. Babai dhe menaxheri im më thanë se e kisha gabim, por nuk ua vura veshin”.
E thënë ndryshe, spanjolli pranon gabimin në zgjedhjen e kuqezinjve të Milanos, me të cilët, gjithsesi ka një kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Në verë do të dimë më shumë rreth fatit të tij, por Morata i ka idetë e qarta, teksa shpjegon: “Kam një kontratë me Milanin dhe në Stamboll jam i huazuar. Do të shohim çfarë do të ndodhë në verë, por ideja ime është që të vijoj të luaj për Gallatasarajin, pasi jam gjendur shumë mirë në këtë ekip”.
Pas pesë golave me “Djallin” në 18 prezenca, spanjolli ka shënuar edhe katër herë në vetëm pesë ndeshje me turqit, çka shpjegon edhe ndjesinë e tij pozitive nga përvoja që po kalon në Stamboll.
PANORAMASPORT.AL