Trajneri i Laçit, Francesco Moriero, foli me superlativa për skuadrën e tij, pavarësisht se mori vetëm një pikë ndaj Dinamos.
“Episodet janë pjesë e futbollit, ajo që më interesonte ishte paraqitja e djemve, të cilët ishin fantastikë. Kemi bërë një ndeshje të madhe, kemi komanduar gjithmonë lojën, kemi luajtur topin, kemi mbrojtur me agresivitet.
Episodet në favor apo jo, janë pjesë e futbollit. Si trajner më interesonte më shumë qasja ndaj ndeshjes, kuraja që treguan djemtë për të luftuar në çdo cep, kemi bërë një ndeshje të madhe ndaj një ekipi të mirë, por nuk pashë diferencë mes dy skuadrave.
E them në çdo intervistë që kemi ekipin më të mirë në kampionat, me lojtarë me eksperiencë që ndihmojnë të rinjtë. Për mua futbolli është dëshirë për të fituar çdo ndeshje, është një skuadër që po rritet dita ditës, por e vërteta është që jemi ende në zonën e nxehtë dhe objektivi i parë është të dalin dhe për atë që po bëjnë djemtë, duhet të dalin.”