Barazimi 0-0 ndaj Romës i riktheu disa kujtime “alegriane” ndjekësve më të ethshëm të Juventusit. Dhe jo për faktin se bardhezinjtë nuk kanë humbur në tre javët e para të kampionatit prej tre sezonesh.Teksa kësaj herë në stol është Mota, në dy pararendësit ishte Masimiliano Alegrit. Juvja e këtij të fundit, një nisje me tri sfida pa pësuar e pati regjistruar vetëm në 2014/15 (sezoni i parë i trajnerit livornez në Torino). Ja që sivjet ka shumë më tepër për të thënë. Është e vërtetë që sukseset kundër Komos dhe Veronës nuk u përsëritën kundër De Rosit, por verdhekuqtë padyshim kanë një peshë specifike të ndryshme nga skuadrat që duhet të luftojnë për të mos rënë nga kategoria.
Gjithashtu plani taktik i romanëve, përfshinte një ekip më të mbyllur me vendosmëri dhe fakti që reagoi lëvizje pas lëvizjeje, ndërlikoi filozofinë që Tiago Motës e cila kërkon kohë për të zënë rrënjë, aq më tepër në një grup të revolucionarizuar nga merkato.
NIVELI DUHET RRITUR – Nuk është rastësi që gjërat më të mira u panë në pjesën e dytë, kur në momente të caktuar, tekniku italo-brazilian i Juves filloi të aktivizojë frytet e merkatos së verës: Kopmainers, Duglas Luiz, Konseisaos apo dhe Niko Gonzalez. Do të jenë ata që do të duhet të japin cilësinë që i imponon ekipit atë që ka në mendje Mota, si nëpër këmbë e kokë, ashtu edhe në momente të ndeshjeve. Savona, Kabal dhe Mbangula sigurisht që kanë konfirmuar aftësitë e tyre, por, kur niveli i dueleve rritet, nevojiten lojtarë të gatshëm, të njëjtët që do të duhet të mbajnë Juventusin në krye të renditjes.
BURIMET E SHUMTA – Jo se tani renditja thotë ndonjë gjë ndryshe, duke qenë se bardhezinjtë janë në krye me Interin, Torinon dhe Udinezen, por qartësisht pas ndalesë së kombëtareve e me hyrjen e Champions në kalendar, rotacionet do të jenë thelbësore. Ndeshjet do të shtohen dhe po ashtu edhe momentet e vështira të një sezoni që pritet të jetë rraskapitës. Dhe mbase nuk është rastësi që Tiago Mota, pas Romës, nuk është mërzitur aspak duke deklaruar se objektivi është Empoli, pra ndeshja e radhës, dhe më pas i shtyu për afatet për vlerësimet e ardhshme mbi nivelin real të konkurrencës brenda ekipit të tij.
REVOLUCION – Mund të jetë një strategji për të mbajtur dritat e fikura edhe nëse trajnerit i duhet dhënë kohë për të sjellë një revolucion, krahasuar me sezonet e fundit, me një grup të ndryshuar nga merkato dhe të përbërë nga shumë të rinj. Dhe dihet se me të rinjtë uljet e ngritjet janë në rendin e ditës. Pra, le të kthehemi në pikën fillestare: do të jetë thelbësore të shohim të gjitha nënshkrimet e verës në formacion për të nisur krijimin e një ideje të saktë për Juve 2.0 dhe për të kuptuar nëse i është dhënë një kthesë të vërtetë projektit në kërkim të harresës për reminishenca “alegriane”.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL