Tiago Mota është prezantuar dje përpara mediave si trajneri i ri i Juventusit. Të shumta temat e cekura nga 42-vjeçari në lidhje me formacionin, merkaton, organikën dhe ambiciet sezonale. Që, të paktën në këto momente, janë shumë të larta.
Cilat janë ndjesitë tuaja në ditët e para me ekipin?
Dua të falënderoj drejtuesit, jam i lumtur dhe i kënaqur që jam bërë trajner i një klubi historik si Juventusi. Jam i sigurt se do të hapet një cikël shumë interesant. Struktura është shumë e bukur, ka kompetencë të madhe dhe të gjithë po më ndihmojnë shumë. Falënderoj shumë edhe tifozët për pritjen e tyre.
Si e imagjinoni Juventusin tuaj?
Dua një skuadër krenare dhe të lumtur pas çdo ndeshjeje, sepse do të thotë se japim maksimumin çdo herë.
Çfarë objektivash keni?
Kam ardhur në kohën e duhur, jam i lumtur që jam pjesë e këtij cikli të ri. Objektivi është fillimisht të përgatitemi sa më mirë, duhet të përgatitemi si duhet dhe të jemi gati të përballemi në maksimum me çdo skuadër me të cilën përballemi.
Çfarë ju befasoi te Juventusi?
Isha i bindur që po vija në një klub fantastik, por struktura më befasoi. Do t’i përballojmë tri vitet e ardhshme me shumë entuziazëm dhe energji pozitive, duke u përpjekur të luajmë sa më shumë ndeshje.
Te Juvja fitoret kanë shumë rëndësi….
Jam dakord që në të gjitha ekipet e mëdha duhet të fitosh. E ndiej përgjegjësinë, por është e bukur. Nuk do ta ndërroja këtë vend me asnjë tjetër në botë. Dua të jap më të mirën time, të përcjell entuziazmin dhe motivimin tim.
A ndieni presion?
Vizita e Xhon Elkann më gëzoi, ky presion është një stimul shtesë për mua.
Vlahoviç është kthyer më herët vetëm për të punuar sa më parë me ju…
Ai është kritikuar shumë, por kritikat janë pjesë e punës sonë. Sidoqoftë ai është një lojtar i madh. Megjithatë, talenti ka nevojë për ekipin, kur ekipi punon, talentet dalin në pah. Jam i sigurt se jo vetëm ai, por edhe shumë talente të tjerë që kemi, do të kenë një sezon të mrekullueshëm.
Sa ju kanë ndihmuar përvojat si lojtar me trajnerë të mëdhenj?
Kam punuar me Murinjon dhe Gasperinin, që janë trajnerë që kanë pasur karriera të shkëlqyera dhe ishte një privilegj për mua të punoja me ta, si me shumë të tjerë. I falënderoj të gjithë, kam marrë pak nga secili prej tyre dhe sot kam idetë e mia, me të cilat jam i bindur se do ia dalim shumë mirë.
Çfarë do të ndodhë me Kiezën?
Këtu kemi vetëm lojtarë të fortë, kjo vlen edhe për të. Vendimet për të ardhmen i takojnë atij dhe klubi.
Kush do të jetë kapiteni?
Kemi një kapiten të mrekullueshëm në Danilo, do të doja ta kisha që tani me ne, por ka ende nevojë për pak pushime. Kur të jemi të gjithë bashkë do të vlerësojmë, sot jam i lumtur që është ai dhe shpresoj të vijë së shpejti në grup.
Çfarë po ndodh me Jildizin dhe Sulenë?
Me Jildizin kam folur dhe më duket djalë fantastik. Në fushë, me sa kam parë, ai mund të luajë çdo rol. Kur dikush ka vullnet për t’u rritur dhe një talent i tillë, ai vetëm mund të përmirësojë ekipin. Edhe Soule është pjesë e grupit dhe po stërvitet shumë mirë. Për momentin ai është lojtar i Juventusit, nuk mund të them më shumë.
Çfarë i mungon Juves për titullin?
Ne duhet të fokusohemi vetëm te përgatitja tani. Kam fatin që kam një grup ku të gjithë lojtarët tanë janë të fortë. Duhet fleksibilitet, por mund të arrijmë shumë së bashku. Për momentin nuk mendoj për konkurencën apo titullin.
Sivjet keni edhe Kupën e Botës për Klube…
Është një sezon i ri për të gjithë, por asgjë nuk ka ndryshuar deri më sot. Duhet të përgatitemi për të qenë gati që në ndeshjen e parë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL