Kundërshtarë për një natë, armiq kurrë. José Mourinho rikthehet në “Olimpico” për herë të parë pas largimit nga Roma, skuadrën që drejtoi në 138 ndeshje dhe tifozëve të së cilës u hyri në zemër.
“Ata u treguan të veçantë me mua. Kur zbrita për herë të parë nga avioni, ishin një mijë njerëz që më prisnin. Nuk kisha bërë ende asgjë për ta, asnjë ndeshje, asnjë pike, por Roma është kështu. Romanistët panë se për mua ekzistonte vetëm një gjë: Roma, ata. Kam luftuar, kam dhënë gjithçka”, – kujtoi portugezi.
Mourinho nuk pret pritje të veçantë, madje as një banderolë, por respekt. Tifozët i janë ende mirënjohës për “Conference League” më 2022 dhe finalen e “Europa League” sezonin pasues. Në stolin e tij të dikurshëm tashmë është Gian Piero Gasperini.
Përballja e parë mes tyre ishte Inter-Genoa, në javën e tetë të kampionatit italian 2008-2009. Ndeshja përfundoi 0-0, megjithëse Genoa luajti rreth gjysmë ore me 10 futbollistë, pas përjashtimit të Ivan Jurić.
“Është trajneri më i vështirë me të cilin jam përballur ndonjëherë. Ndryshova skemën pesë herë dhe ai m’u përgjigj çdo herë. Ishte një betejë e vërtetë”, – deklaroi Mourinho.
Pas asaj ndeshjeje, dy trajnerët u përballën edhe 10 herë të tjera. Bilanci i përgjithshëm i këtyre 11 takimeve është 5 fitore për Mourinhon, 3 barazime dhe 2 humbje. Megjithatë, në tri përballjet e fundit, portugezi nuk ka fituar: një barazim dhe dy humbje. Në Romë shpresojnë që seria pozitive e Gasperinit të vazhdojë.