Wednesday, 19. August 2026
Sport

Mourinho: Rodri? Kur të thërret Reali, nuk mendohesh dy herë

GS 19/08/2026 2 Min. Lesezeit

José Mourinho ka folur edhe për çështjen e Rodrit gjatë intervistës së gjatë që e ka dhënë për emisionin “El Chiringuito”, duke zbuluar detaje rreth tentativës së Real Madridit për ta transferuar mesfushorin spanjoll.

Rodri ishte për një kohë të gjatë i lidhur me “Los Blancos”, por në fund negociatat nuk u konkretizuan dhe ai përfundoi te Barcelona.

Mourinho ka shpjeguar se interesimi i Real Madridit për lojtarin ishte konkret dhe se klubi madrilen ia kishte bërë një ofertë të rëndësishme.

“Kam folur disa herë me Rodrin dhe Real Madridi ia bëri një ofertë shumë të mirë. Besoj se ka një marrëdhënie shumë të mirë me Manchester Cityn. Pa negociuar me Cityn, klubi pati kontakte me lojtarin dhe ia paraqiti një ofertë të rëndësishme”, ka treguar trajneri portugez.

Megjithatë, sipas Mourinhos, pikërisht dyshimet e Rodrit ndikuan në ndryshimin e situatës.

“Rodri kishte disa dyshime, hezitoi… dhe dyshimet e tij krijuan dyshime edhe tek unë”, ka deklaruar Mourinho.

“Speciel One”, megjithatë, e ka vlerësuar maksimalisht mesfushorin spanjoll dhe ka theksuar se nuk ka asgjë negative për të thënë për të.

“Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka qenë shumë korrekt me ne. Nuk kam asgjë negative për të thënë për të. Ia uroj më të mirën. Jo shumë mirë, sigurisht, por ia uroj të mirën”, tha Mourinho.

Mourinho më pas e ka shpjeguar edhe filozofinë e tij për lojtarët që zgjedhin ta veshin fanellën e Real Madridit.

Sipas tij, përmasat e klubit madrilen janë të tilla që një futbollist nuk duhet të ketë dyshime kur i vjen oferta nga “Los Blancos”.

“Real Madridi e ka një përmasë të tillë saqë nuk mund të ketë lojtarë që mendojnë dy herë. Kur e kontakton një futbollist, ai duhet të të pyesë: ‘Kur duhet të vij?’”, ka thënë portugezi.

Në fund, Mourinho është pyetur edhe nëse Barcelona është aktualisht më e fortë se Real Madridi.

“Barcelona tani është më e fortë? Jo. Titujt fitohen në fushë”, ka përfunduar Mourinho.

Teilen: