José Mourinho dhe Pep Guardiola kanë pasur përplasje prej shumë vitesh, veçanërisht gjatë periudhës kur njëri drejtonte Real Madridin dhe tjetri Barcelonën. Polemikat mes tyre kanë qenë të shumta dhe duket se do të vazhdojnë, bazuar në deklaratat e fundit të portugezit në dokumentarin e tij “The Special One”.
Gjithçka lidhet me vendimin e Guardiolës për të marrë një vit pushim pasi u largua nga Barcelona dhe para se të firmoste me Bayern Munich në vitin 2013. Mourinho thotë se ai vetë nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë:
“As nuk mund ta imagjinoj se kur do të ndaloj së marruri me futboll. Them edhe 10 vite, por ndoshta më shumë se 10. Është argëtuese, dua të fitoj më shumë trofe. Dua të triumfoj në vende ku nuk kam qenë kurrë, dua ta bëj edhe në vende ku e kam bërë më parë.
Bota ime është të hyj në një stadium futbolli me 50.000 ose 90.000 tifozë. Kam pasur raste edhe me 100.000 tifozë, kjo është bota ime. Pa futbollin ndiej se më mungon diçka, por nuk mendoj se është një obsesion. Nuk e ndiej si obsesion. Kur arrin një nivel të caktuar, thjesht dëshiron të qëndrosh aty përgjithmonë”.
Mourinho beson se largimi për një periudhë nga stoli është shenjë dobësie: “Disa njerëz kanë nevojë për një vit pushim, diçka që e urrej. E urrej atë fjalë. Për mua, një vit pushim do të thotë dobësi. Mos më flisni për vite pushimi. Unë nuk kam nevojë kurrë të pushoj. Do të pushoj kur të vdes”.