Në dokumentarin e ri të Mourinho-s në Netflix, trajneri portugez ka folur hapur për marrëdhënien e vështirë me Iker Casillas gjatë periudhës së tij të parë te Real Madridi. Mourinho tha se skuadra ishte shumë e fortë, ndërsa Casillas ishte “kapiteni dhe lojtari më i mirë”, por mendërisht “ishte shumë keq”.
Ai kujtoi tri bisedat e para me portierin: “E para që më tha ishte: ‘Kam ardhur të kërkoj më shumë pushime për lojtarët e kombëtares’. Më pas kërkoi që stërvitjet të shtyheshin një orë për shkak të trafikut dhe, në bisedën e tretë, tha se lojtarët preferonin të mos qëndronin në hotel para ndeshjeve. Aty e kuptova se ishin të llastuar”.
Situata u përkeqësua pas telefonatës së Casillas me Xavin për të ulur tensionet mes Realit dhe Barcelonës. Mourinho tha: “Kjo është e vetmja klasike Real Madrid-Barcelona. Tani është luftë…”
Më pas shpërtheu edhe çështja e “spiunëve” që nxirrnin informacione në media. Mourinho pranoi se në vitin 2013 ishte i lodhur nga lojtarët dhe shtypi: “Doja të largohesha. Ndjeja se gjithçka kishte përfunduar”.