Muaji i shenjtë i Ramazanit është vetëm pak ditë larg.
Në futbollin e Kosovës ka shumë lojtarë që luajnë dhe agjërojnë në të njëjtën kohë.
Trajnerët e Superligës së Kosovës kanë treguar për GazetaBlic Sport numrin e lojtarëve që do të agjërojnë dhe vështirësitë e tyre gjatë këtij muaji.
Trajneri, Tahir Batatina deklaroi se ka shumë lojtarë që do të agjërojnë te Llapi dhe se ai si trajner do të mundohet që sa më shumë t’u ndihmojë lojtarëve me kohën e stërvitjeve, megjithatë gjatë krahasimit me vitet e kaluara Batatina thotë se agjërimi ndikon paksa negativisht te forma e lojtarëve.
“Ditët e para do të jenë më të vështira derisa lojtarët të mësohen me kohën e agjërimit, por ne do të bëjmë maksimumin për lojtarët që do të agjërojnë t’i ndihmojmë në forma të ndryshme. Do të konsultohemi edhe me nutricistët që të shohim se çka duhet të përdorin lojtarët gjatë kohës së iftarit dhe syfyrit që të marrin kaloritë e nevojshme që i humbin gjatë ditës në mënyrë që të jenë të gatshëm për ndeshje.
Ka shumë lojtarë që e praktikojnë agjërimin janë diku te gjashtë lojtarë që për çdo vit agjërojnë. Asnjëherë nuk iu ka penguar kjo, unë jam munduar t’i kuptoj dhe t’i shtyej seancat stërvitore sa më afër kohës së iftarit që të mos kenë ngarkesë gjatë tërë ditës dhe t’i marrin sa më shpejt kaloritë që i humbin në ushtrime.
Mendoj që në disa momente viteve të kaluara nuk ka ndikuar mirë, kjo varet nga imuniteti i lojtarëve, megjithatë mendoj që ndikon pak negativisht duke e ditur që ndeshjet janë në ora 13:00 kur ata janë agjërueshëm. Është një distancë e gjatë kohore nga ndeshja deri te koha e iftarit dhe ata nuk mund të konsumojnë as ujë as gjëra tjera kalorike. Nuk është e lehtë, mund të bie pak forma e lojtarëve“, tha Batatina për GazetaBlic Sport.
Në anën tjetër trajneri, Zekirija Ramadani potencon se do agjëroj edhe vetë personalisht, kurse sa i përket lojtarëve thotë se është në dorë të tyre të vendosin nëse do jenë në gjendje të agjërojnë dhe të japin maksimumin në fushë.
“Tek Drita është viti i parë për mua, nuk e di numrin e saktë, por po shoh që shumica e futbollistëve po i kryejnë ritualet fetare, falin namaz jam i bindur që edhe do të agjërojnë.
Nuk mund të them se ndikon pozitivisht ose negativisht pasi varet nga organizmi i lojtarëve dhe karakteri i tyre. Secili i di mundësitë e veta, por qëllimi i pastër bën që të mos ndiesh ndoshta as lodhjet e këtij procesi. Disa nuk mund ta përballojnë, unë nuk përzihem asnjëherë te çështjet religjioze të lojtarëve.
Secili e di se a është në gjendje të agjërojë dhe ta jap maksimumin apo jo. Agjëron apo jo është çështja personale e lojtarëve. Luan mirë do të luajë luan keq do zëvendësohesh.
Personalisht kam agjëruar prej që e njoh veten. Derisa e kam shëndetin e plotë nuk më ndalon as futbolli as ndeshjet dhe normalisht se do agjërojë“, deklaroi Ramadani për GazetaBlic Sport.
Tek Fushë Kosova sipas trajnerit, Burim Shala çështja edhe e orarit të stërvitjeve do të jetë sfiduese pasi nuk varet nga ta koha e ushtrimeve duke ditur që Fushë Kosova nuk luan në stadiumin vendas.
“Janë shumica që do të agjërojnë, edhe në sezonin e kaluar ka pasur shumë lojtarë që kanë agjëruar. Pothuajse të gjithë përveç atyre që nuk janë të besimit islam do të agjërojnë sa kam dijeni.
Fillimi ka qenë edhe vitin e kaluar pak më i vështirë, ka pas pak vështirësi dhe rënie të formës, por me kalimin e kohës lojtarët adaptohen me orarin e agjërimit. Dëshira dhe besimi i plotë ndoshta e bënë edhe më të lehtë për ta këtë proces.
Këtë vit do të jetë më e vështirë të përshtatet koha e ushtrimeve pasi stërvitemi në Lipjan dhe nuk varet nga unë koha, pasi fusha është shumë e ngarkuar. Do të mundohem që orari të jetë sa më i afërt me iftarin”, tha Shala për GazetaBlic Sport.