Aventura e lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi pritet të jetë shumë e shkurtër te skuadra e Beshiktashit në Turqi.
Mediumet turke kanë raportuar të martën se gjasat janë të mëdha që Muçi në verë të largohet nga Beshiktashi për të vazhduar karrierën në Angli.
Thuhet se 23-vjeçari pritet të transferohet tek Aston Villa, ekip që po përgatit ofertën për ta bindur Beshiktashin në lirimin e tij. Mësohet se Aston Villa është gati të ofrojë deri në 10 milionë euro për Muçin, i cili edhe kur ishte pjesë e Legia Varshavës në Poloni është monitoruar nga klubi anglez.
Muçi në muajin shkurt të këtij viti iu bashkua Beshiktashit për 8 milionë euro dhe ekipi turk të paktën do të kërkoj rreth 15 milionë euro për lirimin e tij në fund të edicionit. Muçi ka kontratë deri në vitin 2027 me Beshiktashin, ekip për të cilin ka shënuar 2 gola në 6 paraqitje në kampionatin e Turqisë.