Sunday, 29. November 2026
Sport

​Munishi me “dorë magjike”, Liria synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar

GS 29/11/2026 4 Min. Lesezeit

Liria e Prizrenit po synon rikthimin në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa besimi brenda klubit për arritjen e këtij objektivi është i madh.

Trajneri Ismet Munishi dhe futbollistët e tij janë shprehur optimistë për rrugëtimin e skuadrës, duke vlerësuar punën e bërë deri më tani, organizimin e klubit dhe përkrahjen e madhe që po marrin nga tifozët prizrenas.

Munishi ka thënë se Liria tashmë ka dëshmuar se është njëra prej kandidateve kryesore për inkuadrim në elitë, por ka theksuar se skuadra duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim.

“Deri këtu kemi treguar që jemi kandidatë kryesorë për Superligë. Ne duhet të vazhdojmë me punuar njësoj, duhet të ngritemi si klub. Jemi shumë mirë në aspektin organizativ. Qyteti i Prizrenit e do shumë futbollin, kemi tifozëri të madhe. Çdo ndeshje na kanë përcjellur ‘Arpagjikët’, që i falënderoj shumë, edhe qytetarët e Prizrenit, jo vetëm brenda por edhe jashtë. Çdo ndeshje kemi pasur përkrahje të fuqishme, klubi ka shumë traditë. Ne e kemi filluar shumë mbarë, e kemi filluar me karakter, jemi të vetëdijshëm çka përfaqësojmë, çfarë klubi përfaqësojmë, çfarë qyteti përfaqësojmë, edhe këto po e bëjmë me krenarinë më të madhe dhe me vullnetin më të madh”, tha Munishi.

Edhe kapiteni i Lirisë, Fitim Susuri, beson se klubi prizrenas e ka momentin e duhur për t’u rikthyer në Superligë, duke vlerësuar angazhimin e drejtuesve, stafit teknik dhe të gjithë futbollistëve.

“Duke pasur parasysh të gjitha punët që janë bërë prej drejtuesve, prej trajnerit, prej krejt skuadrës në përgjithësi, kanë bërë një punë shumë të madhe dhe po besoj që ka ardhur fundi Liria duhet të hyje në Superligë”, deklaroi Susuri.

Në të njëjtën linjë është edhe futbollisti Albion Kurtaj, i cili ka vlerësuar ndikimin e trajnerit Ismet Munishi në skuadër, duke e cilësuar atë si një trajner që di të nxjerrë maksimumin nga lojtarët.

“Ismet Munishi është një trajner jashtëzakonisht i mirë, do të thotë ka sjellë cilësi në skuadër, e ka dorën e hekurt edhe e ka dorën magjike për te çdo lojtar që ta japë maksimumin në fushë Besoj që Liria është e gatshme për Superligë, me një kryesi jashtëzakonisht të mirë, me këta lojtarë shumë cilësorë edhe me do lojtarë që mund të na ndihmojnë për Superligë, edhe duke mos i harruar edhe tifozët e tjerë, besoj që Liria është e gatshme për Superligë.”, tha Kurtaj.

Ndërkohë, futbollisti Toni Gomes ka vlerësuar ndikimin e Munishit që nga ardhja e tij në klub, duke theksuar se përvoja e lojtarëve të afruar dhe cilësia e skuadrës krijojnë besim për sfidat e ardhshme dhe objektivin e inkuadrimit në elitë.

“Ai është i jashtëzakonshëm. Më ka ndihmuar shumë gjatë kohës sime këtu. Kur erdha për herë të parë këtu, nuk isha ende plotësisht i gatshëm, sidomos nga ana fizike, por ai më ndihmoi dhe ma prezantoi projektin. Prandaj jam këtu. Tani gjithçka është shumë mirë… Natyrisht, siç mund ta shihni, lojtarët që i kanë sjellë në ekip, futbollistët me shumë përvojë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, tregojnë se kemi një skuadër shumë të mirë për t’u ngjitur në Superligë. Pastaj, jemi gati për sfidat që na presin.”, u shpreh Gomez.

Liria e mbyll këtë pjesë të kampionatit në pozitën e parë në Ligën e Parë të Kosovës, me 42 pikë të grumbulluara.

Ekipi i Ismet Munishit do ta presë sezonin pranveror nga pozita e liderit, me synimin që ta ruajë këtë avantazh dhe ta sigurojë rikthimin në Superligë, objektiv që në Prizren po shihet gjithnjë e më real.

⚽
UEFA Nations LeagueRezultati i fundit · Ndeshja e radhës · Tabela
Duke ngarkuar rezultatet…
Teilen: