Zhoze Murinjo ka dhënë një intervistë të gjatë në gazetën italiane “Corriere Delo Sport” ku ka folur rreth shqetësimeve para fillimit të sezonit të ri, problemeve që ka klubi i cili nuk ka gjetur një sulmues apo merkatos në hyrje e cila për momentin nuk ka lëvizje të mëdha. Por mbi të gjitha ai është ndalur mbi vazhdimësinë e tij te Roma, duke konfirmuar se kishte refuzuar ofertat nga Arabia Saudite, pasi u kishte premtuar lojtarëve pas finales së Ligës së Europës se do të qëndronte.
“Mora oferta nga Al Hilal dhe Al Ahli. I telefonova drejtuesve të Romës para se të takohesha me ta dhe u thashë që nuk do t’i pranoja. Nga një anë ndjehesha i burgosur nga premtimi që u bëra lojtarëve në Budapest dhe tifozëve pas ndeshjes me Specian, por nuk e refuzova vetëm për këtë arsye. Nuk është një “jo” përfundimtare.
Në të kaluarën kam refuzuar propozimin më të pabesueshëm që ka marrë ndonjë trajner, kur Kina më ofroi pankinën e kombëtares dhe një klub në të cilin do të kishin luajtur të gjithë futbollistët e saj. Një propozim ekonomik i jashtëzakonshëm, jashtë realitetit”, ishin fjalët e Murinjos.
PANORAMASPORT.AL