Klubi i Beshiktashit nuk ka vonuar shumë për të bërë zyrtar emrin e trajnerit të ri, pak ditë pasi pa Fenerbahçen t’i rrëmbente nga duart Zhoze Murinjon. Portugezi zgjodhi rivalët e qytetit të Stambollit dhe klubi ku luan Ernest Muçi, nisi nga e para kërkimin, duke gjetur në fund një emër të denjë për të synuar edhe një herë titullin.
Klubi sot bëri të ditur se ka nënshkruar me holandezin Xhovani Van Bronkhorst, një emër shumë i njohur i futbollit në Europë. Ish-lojtari i klubeve si Arsenal e Barcelona, me mbi 100 ndeshje të luajtura me Holandën, ka nisur trajningun prej disa vitesh, duke drejtuar klube si Fejnord e Rejnxhërs, ku me këtë të fundit arriti deri në finalen e Ligës së Europës.
Tani ai do të marrë drejtimin e Beshiktashit ku ka nënshkruar për dy vite, duke synuar që ta bëjë edhe një herë këtë skuadër pretendente për titullin kampion në Turqi.
PANORAMASPORT.AL