Vedat Muriqi e pati një sezon të jashtëzakonshëm në aspektin individual.
Ylli kosovar e mbylli sezonin më të mirë në karrierë me 23 gola të shënuar në La Liga.
Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme që “Pirati” ta ndihmonte klubin ishullor nga “fundosja”.
Mallorca fatkeqësisht ra nga liga dhe përfaqësuesi dardan po e vuan shumë këtë fakt.
Ai u pa duke qarë derisa u takua me familjarët e tij, me gruan dhe me fëmijët pas lojës së fundit.
E sot, Muriqi e bëri një postim mjaft emocionues, duke iu drejtuar tifozëve të Mallorcas, ndaj së cilëve ndien keqardhje për rënien nga liga.
“Sot fjalët me të vërtetë janë të vështira për t’u thënë. Sepse dhimbjen dhe trishtimin që ndieni ju, i ndiej edhe unë thellë në zemrën time. Gjatë gjithë sezonit qeshëm bashkë, vuajtëm bashkë. Kaluam momente të vështira, por kurrë nuk e humbëm besimin te njëri-tjetri. Sa herë që dola në fushë e ndjeva përgjegjësinë për ta mbrojtur këtë fanellë, dhe ta ndieja mbështetjen tuaj ndaj meje gjithmonë më jepte forcë”, shkroi 32-vjeçari.