Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi sërish ka zënë vend në ekipin më të mirë të javës së fundit në La Liga të Spanjës.
Muriqi është përfshirë në formacionin e xhiros së 27-t të kampionatit spanjoll pas paraqitjes fantastike që e pati në ndeshjen e fundit të Mallorcas.
Muriqi shënoi të dy golat në barazimin 2:2 ndaj Osasunas, ndërsa u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, duke u vlerësuar me notën 8.6.
Faqja e specializuar “SofaScore” e ka rreshtuar Muriqin në fazën ofensive të formacionit më të mirë, duke e lënë përkrah Ante Budimirit të Osasunas dhe Lucas Boye të Alavesit.
Sulmuesi kosovar deri më tani, ka shënuar 18 gola në 26 ndeshje kampionale dhe është golashënuesi i dytë në La Liga pas Kylian Mbappes që është i pari me 23 gola të shënuar.
31-vjeçari është lojtari kryesor këtë sezon i Mallorcas, ekip që po lufton për të siguruar mbijetesën në La Liga edhe për sezonin e ardhshëm.