Vedat Muriqi do të rikthehet në Turqi te një skuadër që ai e njeh shumë mirë. Në Turqi janë të bindur se “Pirati” është blerja e madhe e presidentit të ardhshëm të Fenerbahçes.
Sipas gazetarit turk Yagiz Sabuncuoglu ka akord total mes sulmuesit të Real Mallorca dhe Aziz Yildrim, i cili pritet që të zgjidhet si president i Fenerbahçes në zgjedhjet e muajit qershor.
Mallorca pret e qetë pasi është e sigurt se do të arkëtojë një shifër të rëndësishme nga ky transferim. Në një moment të parë u mendua se klubi do të hiqte dorë nga Muriqi vetëm për 18 milionë euro, por duke parë se dëshira e sulmuesit për t’u larguar nga Spanja është e fortë atëherë palët do të ulen për të rishikuar këtë shifër.
Muriqi nuk është një lojtar i panjohur për klubin turk, pasi ka milituar për verdhezinjtë edhe në sezionin 2019/2020.