Xhamal Musiala do ketë shansin të shfaq gjithë “arsenalin” posedues në duelin ndaj Real Madridit, faza gjysmëfinale e Championsit. Përpos ballafaqimit me rekordmenët e Ligës së Kampionëve, “bambi” do të tentojë të mposht Xhud Bellingam, i cili po përjeton sezon ëndërrash. Musiala në një rrëfim të gjatë për prestigjiozen spanjolle “Marca” ka prekur shumë tema:
Për shkak të stilit tuaj, ju mund të kishit lindur në Spanjë. A jeni një nga lojtarët gjerman më ‘latin’, ndoshta së bashku me Virc?
Është fakt se në Gjermani jemi disa futbollist mjaft të talentuar me të njëjtin stil, aty ku mbizotëron aftësia teknike. Florian Virc e ka shfaqur kreativitetin thuajse në çdo ndeshje dhe mendoj se publiku gjerman është i magjepsur, sikurse edhe evoluimi im. Më vjen mirë që numri i talenteve me prirje dribluese po shtohet në vendin tonë e ku loja teknike po merr gjithmonë e më shumë përparësi.
Si arritët ta fitoni aftësinë ta ‘ngjisni’ topin në këmbë, pra driblues i nivelit të lartë?
Kur isha i vogël stërvitesha në kopshtin e shtëpisë ose jashtë në rrugë, apo në park me babin, shokët… Gjithmonë stërvitesha. Kaloja orë të tëra duke bërë kalime një për një kundër babait tim dhe duke dribluar me ndihmën e kushteve në të cilën ndodheshim. Mendoj se kjo më ndihmoi shumë. Këshilla e tim eti më ka bërë ky që jam sot, stërvitje në masë, edhe më shumë nga sa bëjnë të tjerët, nëse dëshiron të bëheni më i miri. Vetëm kështu mund t’ia arrish synimeve madhore. Me kalimin e kohës fillon dhe i përditëson veprimet.
Vëllai juaj i vogël, i cili mbush 8 vjeç këtë verë, sa ‘i çmendur’ është pas futbollit?
Unë i kam mësuar tashmë disa marifete, megjithëse ai ushtrohet gjithë ditën në kopsht, ashtu siç veproja unë në moshën e tij.
Cili është pozicioni juaj ideal, si numri dhjetësh apo duke luajtur në një nga krahët?
Nuk e kam problem si numër ‘10’ apo në korsinë e majtë. Këto janë dy pozicionet ku ndihem shumë mirë. Si ndërtues, kam më shumë pamje të lojës, diçka që më ka pëlqyer gjithmonë. Ti nuk je i prirur vetëm te shfrytëzimi i hapësirave nga sulmuesi kryesore, por edhe mund të krijosh shanse për shokët e ekipit apo të organizosh lojën mbrapa, në një farë mënyrë merr përgjegjësi më të mëdha mbi shpinë. Kam luajtur edhe në role të tjera, mesfushor me profil fiks, sikurse krahun e djathtë. Mësimi është se ju përfitoni nga çdo pozicion dhe kjo ju ndihmon të ndërtoni profilin tuaj në përgjithësi, ndërsa rriteni si futbollist.
Keni marrë numrin 10-të te kombëtarja gjermane, kur filloi magjepsja pas kësaj shifre?
Që kur isha i vogël shikoja të gjithë emrat e mëdhenj, të cilët mbanin atë numër dhe ishte gjithmonë i preferuari im. Jam rritur duke parë Ronaldinjon, Nejmarin apo Mesin. Të gjithë vishnin fanellën ‘10’ dhe për mua ishte gjithmonë një ëndërr, tashmë e realizuar.
Në adoleshencën tuaj, kush ishte lojtari i preferuar?
Pa dyshim, Lionel Mesi dhe Ronaldinjo. Unë kam parë dhjetëra e dhjetëra video të tyre. Kam pasur edhe fanellën e Zidanit kur isha shumë i vogël, numrin dhjetë të kombëtares franceze.
Por idhulli juaj absolut ishte Mesi, apo jo?
Po, e kam admiruar shumë dhe më ka magjepsur. Jam rritur duke parë Leon dhe Nejmar. Ata ishin të preferuarit e mi, sepse më argëtonin shumë dhe i sillnin shumë gëzim lojës. Shpeshherë ndaloja për t’i parë, teksa Leo shënonte gola ose Nejmar bënte truket me topin. Pastaj shkoja në kopsht dhe përpiqesha t’i imitoja. Unë kam qenë gjithmonë një fans i tyre.
Ju jeni i ngjashëm me Mesin përtej stilit në lojë, asnjërit prej jush nuk i pëlqen të flasë shumë jashtë fushës ose të jetë në qendër të vëmendjes?
Personalisht jam një person i rezervuar. Zona ime e konfortit është fusha dhe kontakti me topin. Personaliteti im i vërtetë shfaqet në zonën e blertë. Përpiqem që të jem sa më pranë aksionit, aty prezantohet Musiala i vërtetë.
Leo mban rekord për numrin e trofeve të fituara. Ju tashmë keni katër medalje kampioni në Bundeslig dhe një në Champions, vetëm në moshën 21-vjeçare. Mund ta imagjinoni të arrini rekordin e argjentinasit në palmares?
Nuk e di, nuk dua ta cilësoj fare veten me Mesin dhe ky është një mision thuajse i pamundur. Mendoj se është e kotë krahasimi me Leon apo ndonjë lojtar tjetër. I marr ndeshjet me radhë, po ashtu edhe sezonet e ku punoj për të qenë më i mirë, e përkthyer me fitimin e tituj për ekipin tim.
Na tregoni diçka për mikun tuaj Xhud Bellingam, kujtimet tuaja që keni luajtur me të për kaq shumë vite në ekipet e të rinjve të kombëtares angleze?
Po, ato ishin vite përrallore në Angli. Gjithmonë kuptoheshim mirë në fushë dhe luanim futboll fantastik. Përveç kësaj, ne ishim shokë dhome dhe gjithmonë kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Sot jemi miq të mirë. I lumtur me atë që ai po arrin te Real Madridi në etapën debutuese.
A jeni i befasuar nga suksesi i hershëm i Xhud në Madrid?
Jo. Bellingam ka pasur gjithmonë një mentalitet të madh si lojtar. Ai i beson shumë vetes dhe nuk iu shpëton sfidave të mëdha, ndaj nuk u çudita kur e pashë kështu në Madrid. Sigurisht që fillimi i tij nuk është normal për një debutues, pasi gjithmonë kërkohet një farë durimi, por është diçka që sinqerisht nuk më ka habitur shumë. Mentalitetin e Xhudit e kam njohur që i vogël.
Do përballeni me Realin e Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Çfarë ndjesish ju vjen pas atyre viteve ku qëndronit bashkë?
Mezi jam duke i pritur gjysmëfinalet e Championsit. Xhud dhe unë kemi ëndërruar gjithmonë që kur ishim të vegjël të luanim në nivele të tilla.
Çfarë mund të na thoni për familjen tuaj, kontributi i tyre në rritjen profesionale, sa kanë ndikuar?
Mund të flas pa mbarim për nënë dhe babin. Ata janë një pjesë e rëndësishme e arsyeje se përse jam në këtë pikë. Më përcillnin pa u lodhur nga shkolla në stërvitje. Nuk mendoj se do të kem ndonjëherë kohë të mjaftueshme për të shpjeguar gjithçka që ata kanë bërë për mua. Sigurisht që nuk do të kisha arritur kurrë këtu pa ndihmën e tyre. Iu jam shumë mirënjohës.
Keni kontakt të shkëlqyer me topin, por a do të guxonit të konkurroni në një garë pasimi të gjatë me Toni Kros?
S’do të vija kurrë bast për të sfiduar Tonin, sepse precizionin i tij me këmbën e djathtë është thjeshtë i mahnitshëm.
A është e mundur të fitoni Kampionatin Europian me ribashkimin e Kros te Gjermania?
Sigurisht, me cilësinë që kemi në kontingjent dhe pasimet e Tonit në zona të ngushta apo prej thellësisë, mund të ëndërrojmë shumë. Jam i idesë se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Nëse mbajmë frymën e duhur, sikurse konkretizuam në miqësoret e marsit, atmosfera e tifozëve do na ngrejë në nivelet më të larta. Ka shumë kombëtare që janë në një ritëm më të mirë se ne vitet e fundit. Gjithsesi fusha do të japi verdiktin final.
Favoriti në Kampionatin Europian?
Franca është ndoshta gjithmonë më e favorizuara. Më pas vjen Anglia, me shumë lojtarë në nivel të lartë. Nuk mund të lë pa përmendur Spanjën e talenteve me premisa. Do të jetë interesante të shikohet ky turne, sepse gjithmonë ka një ose dy përfaqësuese që shkaktojnë befasi, krahas parashikimeve fillestare. Është një mundësi e madhe për çdo vend.
Ku e shihni veten si futbollist pas 5 vitesh?
Nuk e hedh vështrimin kaq larg. Ka qenë gjithmonë një nga pikat e mia të forta fokusimi vetëm në të tashmen. Futbolli është momenti të cilën përjetojmë dhe sfida ime e vetme konsiston me përmirësimin pas çdo dite. Megjithatë, shpresoj shumë të jem një lojtar më i pjekur dhe i rafinuar nga se sa jam tani pas periudhës 5-vjeçare”, përfundoi Xhamal Musiala.
PANORAMASPORT.AL