Me vendin e dym bëdhjetë, Bajern ka arritur një rezultat zhgënjyes në fazën e Ligës së Kampioneve. Skuadra e Mynihut duhet të kalojë në rrugë të tërthortë në “play off” dhe vetëm me fat i shpëtoi shortit të vështirë ndaj Mançester Sitit.
Por edhe kundër Sëlltik Gllasgou nuk do të jetë aspak një shëtitje, nëse skuadra gjermane nuk përmirësohet. Sulmuesi Tomas Myler paralajmëron kolegët e tij për skocezët.
Me 18 ndeshje të zhvilluara në të njëjtën kohë, Champions siguroi edhe një herë mjaft spektakël në ndeshjen e fundit të fazës së ligës. Por ka pasur gjithashtu shumë gjëra në fushat evropiane gjatë shtatë ditëve të mëparshme të ndeshjeve, duke përfshirë surpriza të shumta. “Modaliteti i ri i Champions-it ka sjellë padyshim një frymë të freskët.
Ju gjithashtu mund ta shihni këtë në tabelë, disa klube të mëdhaja kanë përfunduar çuditërisht shumë poshtë”, përmblodhi Myler në buletinin e tij. Mirëpo, këtu përfshihet edhe Bajerni, që të gjithë prisnin të ishte në “top 8” para fillimit të fazës së ligës. Në fund të fundit, ekipi i Mynihut ka mundur të fitojë pothuajse çdo ndeshje të raundit paraprak në vitet e fundit.
Myler ishte i zhgënjyer me performancën e ekipit: “Ne vërtet donim të futeshim direkt në ‘top 8’. Ky ishte qëllimi ynë i qartë. Fatkeqësisht, na mungonte kjo”. Megjithatë, lojtari me përvojë e di gjithashtu se e kaluara nuk mund të ndryshohet dhe se asgjë nuk humbet në kompeticionin aktual. “Tani po shikojmë përpara, ‘play off’-et janë në pritje”, tha Tomas.
Futbollisti 35-vjeçar nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për fatin në short, edhe pse rekordmenët arritën të shmangnin Mançester Sitin. “Shorti na përball me Sëlltik Gllasgou. Kushdo që i nënvlerëson skocezët, nuk i ka parë kurrë në ‘Celtic Park’. Kjo atmosferë është e mahnitshme, do të jetë një kulm i vërtetë”, tha veterani i Bajernit. Humbjet në fazën e Champions-it ndaj Fejnordit, Aston Vilës dhe Barcelonës duhet të ishin mjaft paralajmëruese.
“Tani duhet të përqendrohemi plotësisht në dy ndeshjet e ‘play off’-it. Ne duhet të japim gjithçka. Pas kësaj ose Leverkusen ose Atletiko Madrid do të na prisnin. Pra, qetësoni mendimet tuaja, shkurti do të jetë padyshim një muaj emocionues futbolli”, e mbylli Tomas Myler.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL