Friday, 6. February 2026
Sport

Myrto Uzunit i del emri në Turqi, mund t’i bashkohet Enest Muçit te Trabzonspor

GS 06/02/2026 2 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Kombëtare shqiptare, Myrto Uzuni, mund të lërë SHBA-të për t’u kthye në Europë. Emri i tij po lakohet së fundi në futbollin turk, si një përforcim i mundshëm i Trabzonsporit, ku aktivizohet edhe lojtari tjetër kuqezi, Ernest Muçi.

Trajneri i Trabzonsporit, Fatih Teke, duket se i ka pikë të dobët lojtarët shqiptarë. Ai ka kërkuar pak ditë më parë Milot Rashicën, që aktivizohet te Beshiktash, ndërsa tani ka vënë në shënjestër Uzunin, pasi kërkon një sulmues krahu me kualitet.

Sulmuesi beratas, 30 vjeç, luan për Austin në SHBA, pas eksperiencave në futbollin spanjoll, hungarez dhe kroat. Uzuni është një lojtar që mund të luajë shumë mirë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në krahët e këtij reparti. Ai ka një eksperiencë të konsiderueshme, ndaj dhe shihet si një profil shumë i mirë nga trajneri Teke.

Trabzonspori mban vendin e 3-të në Superligën turke dhe aktualisht gëzon një formë të mirë. Me gola po shkëlqen te kjo skuadër Ernest Muçi, i cili është huazuar nga Beshiktashi. Nëse turqit bindin edhe Uzunin, atëherë do të bëheshin dy futbollistë të Kombëtares te Trabzonspor, të dy elementë me një bagazh mjaft të mirë teknik.

Teilen: