Tetëmbëdhjetë gola në 47 prezenca sezonale nuk janë keq për një thuajse 37-vjeçar.
Olivie Zhiru sapo i është bashkuar grupit kuqezi dhe ndaj Realit të Madridit luajti minutat e para sezonale. Sulmuesi është gati për të vazhduar thyerjen e tabuve siç janë golat në kombëtare apo vazhdimësia e sezoneve me të paktën 10 realizime. Të gjitha këto, por edhe aspekte të tjera, francezi i ka cekur në intervistën e dhënë për televizionin e klubit.
Ndjeheni gati për sezonin e ri?
Jam më shumë se gati. Më ka munduar shumë topi. Edhe pse kam kaluar kohë me familjen, rikthimi në stërvitje më ka lumturuar shumë. Kanë qenë ditë të bukura dhe jam kënaqur duke takuar shokët e mi. Jam shumë kureshtar për të njohur të rinjtë.
Si u ndjetë pas largimit të Ibrës?
Më vjen keq që u tërhoq. Me siguri që do të na mungojë shumë. Personalisht mundohem të jem një vëlla i madh në dhomat e zhveshjes dhe të ndihmoj më të rinjtë me përvojën time, por Ibra ishte gjithashtu shumë i dobishëm. Tani rolin e tij do ta luajmë ne më të vjetërit e grupit.
Po me Maldinin keni folur?
Patjetër dhe e kam uruar për të ardhmen. Ai dhe Pioli kanë qenë vendimtar në transferimin tim dhe i jam mirnjohës për mundësinë që më dhanë. Për mua ka qenë ndër lojtarët e preferuar kur isha i vogël dhe mendoj se përfaëson klasin italian. Me siguri edhe Paolo do të na mungojë.
Në këto kushte lojtarë me talent si Leao duhet të marrin më shumë përgjegjësi apo jo?
Rafa ka cilësi të jashtëzakonshme dhe mund të përmirësohet ende shumë. Është ndër ata që mund të arrijnë nivelin e Mbapesë. Sigurisht që duhet të kontribuojë më tepër me gola e asiste, por jam i bindur që e ka potencialin për t’u bërë një kampion i madh.
Pulisiçi si ju duket?
Është një lojtar shumë efektiv, sidomos kur ka pak hapësira. Di të pasojë mirë e po ashtu të godasë portën me saktësi. Ai dhe të tjerët që sapo na janë bashkuar me siguri do t’i japin shumë skuadrës tonë.
Si e parashikoni të ardhmen tuaj?
E kuptoj që i referoheni moshës, por nëse vijoj të jem pjesë e Milanit do të thotë që fiziku ma mundëson. Besimin e kam shpërblyer me rezultate e askush nuk më ka folur asgjë. Jam shumë i motivuar për këtë sezon të ri sepse kam një shpirt të lartë konkurrues dhe jam i bindur se mund të jap akoma kontributin tim për skuadrën.
Dëshironi edhe ju titullin e radhës që do të përkthehej në yllin e dytë për Milanin?
Jemi Milani dhe kemi si objektiv trofetë. Të gjithë që mbajnë këtë fanellë duhet të mundohen të përmirësohen e po ashtu të përmirësojnë arritje. Duam të bëjmë maksimumin në kampionat dhe Ligën e Kampioneve. Ylli i dytë të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Të jeni të sigur që do të tentojmë pasi është ndër synimet tona.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL