Kevin De Bruyne është shumë pranë zyrtarizimit si lojtari më i ri i Napolit. Sipas “Football Italia”, mesfushori belg do të udhëtojë drejt Italisë këtë javë për të përfunduar vizitat mjekësore dhe formalitetet e fundit që do ta lidhin me klubin kampion të Serie A.
Dita e planifikuar për testet mjekësore të De Bruyne është e enjtja, megjithëse ekziston mundësia për një shtyrje të vogël. Pavarësisht kësaj, ai pritet të përmbyllë të gjitha procedurat brenda kësaj jave dhe të firmosë kontratën me klubin e ri, përcjellë Kp.
Të gjitha dokumentet kontraktuale tashmë janë nënshkruar, dhe lojtari pritet të vishet zyrtarisht me fanellën e Napolit, në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
De Bruyne, i cili shënoi në minutën e 88-të në fitoren 4-3 të Belgjikës ndaj Uellsit në ndeshjet kualifikuese për “FIFA Ëorld Cup 2026”, do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me opsion zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
Ai i bashkohet skuadrës së trajnerit Antonio Conte, e cila sapo ka fituar Scudetton, dhe do të jetë përforcimi i parë i rëndësishëm i Napolit për këtë merkato vere.
Belgu i larguar si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Manchester City, ka kaluar një dekadë të artë në Etihad, ku ka fituar gjashtë tituj të Premier League, si dhe Ligën e Kampionëve për herë të parë në historinë e klubit.
Gruaja e lojtarit ka vizituar tashmë qytetin e Napolit, ku ka nisur kërkimet për një banesë dhe shkolla të mundshme për tre fëmijët e çiftit. Kjo tregon se familja është e përgatitur për të filluar një kapitull të ri në Itali.
Përveç De Bruyne, Napoli është pranë finalizimit edhe të marrëveshjes për Luca Marianucci, mbrojtës 20-vjeçar nga Empoli, i cili mund të jetë afrimi i dytë i verës për ‘Partenopeët’.