Një tjetër gol i anuluar nga VAR-i, por më shumë rëndon sepse Milani ndaj Napolit humbi dhe ai gol që mund të kishte qenë shtysë për diçka më shumë rezultoi një gëzim i kotë dhe momental.Megjithatë Alvaro Morata nuk është nga ata që dorëzohen e të njëjtën gjë pretendon nga shokët e tij te skuadrës, të cilëve iu bashkua dy muaj më parë. Spanjolli ka dhënë ditën e djeshme disa deklarata për televizionin e klubit duke analizuar edhe momentin ekipor që po kalojnë kuqezinjtë.
Sa rëndon ajo humbje kundër Napolit?
Jo pak edhe sepse patëm disa minuta të mira. Ata ishin më cinikë, e menaxhuan mirë lojën kur po fitonin. Ishin të zotë duke gjetur atë gol pas vetëm pesë minutash që ua lehtësoi disi detyrën. Nga ana jonë u përpoqëm shumë, për fat të keq nuk mjaftoi. Duhet të durojmë, të punojmë shumë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Si është atmosfera në skuadër?
Ne duam gjithmonë të fitojmë, për më tepër jemi te Milani ku fitoret janë edhe detyrë. Duhet të japim gjithçka në fushë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të punojmë edhe më shumë. Kjo është e vetmja gjë që duhet të mendojmë në këto momente pasi e shtuna është afër dhe ndaj Monzës nuk do të pranohen hapa fals.
Çfarë shkoi keq kundër Napolit?
Futbolli kështu e ka: duhet të jemi pozitivë. Kemi pasur momente të mira kundër ekipit të kreut të tabelës. Por duhet të marrim gjërat pozitive: patëm një paraqitje të shkëlqyer për sa i përket intensitetit dhe forcës. Te Napoli janë mësuar të kenë më shumë mundësi, por ne na bënë dy goditje dhe patën fatin të shënojnë dy gola. Pas një dite pushim sot (dje) kemi takuar sërish dhe po punojmë për të fituar.
Jeni të shqetësuar për renditjen?
Jo, do të më shqetësonte nëse do të kishin mbetur edhe tri javë nga fundi i kampionati. Ka gjëra që nuk funksionojnë dhe nuk mund ta mohojmë, megjithatë rruga është e gjatë e mund të përmirësohemi. Nuk është vetëm çështje fati të keq, por duhet t’i rikthehemi punës, duke parë se çfarë bëmë mirë dhe çfarë jo ndaj Napolit. Futbolli është i tillë dhe ofron mundësi rimëkëmbje.
A kanë vuajtur nga mungesat e disa titullarëve?
Jam shumë krenar për paraqitjen e të gjithëve: treguam intensitet dhe dëshirë për të fituar. Pësuam dy gola nga dy detaje. Duhet të gjendemi gati. E përsëris, jam shumë krenar, por jo i lumtur. Por ne kemi dhënë gjithçka e kushdo që ka luajtur nuk është kursyer. Duhet të shohim gjërat me pozitivitet.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL