Futbolli kosovar ka përjetuar një natë zhgënjyese në garat evropiane, pasi Ballkani dhe Malisheva janë eliminuar nga UEFA Conference League, duke lënë Dritën si skuadrën e vetme kosovare që vazhdon rrugëtimin në kualifikimet evropiane.
Malisheva u eliminua në raundin e dytë kualifikues pas humbjes 4:1 në Skoci ndaj Hibernianit, transmeton lajmi.net.
Skuadra kosovare kishte udhëtuar me epërsinë 2:0 nga ndeshja e parë, por nuk arriti ta ruante avantazhin. Hiberniani dominoi takimin, përmbysi rezultatin e përgjithshëm dhe siguroi kalimin në raundin tjetër. Golin e vetëm për Malishevën e shënoi Bajraktari në pjesën e dytë, por ai shërbeu vetëm për ta zbutur humbjen.
Ndërkohë, Ballkani u eliminua në mënyrën më dramatike të mundshme. Skuadra suharekase fitoi 3:2 në kohën e rregullt, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 4:4, por nuk ia doli të sigurojë kualifikimin pas ekzekutimit të penalltive. Ballkani u mposht 5:4 nga pika e bardhë, duke i dhënë fund aventurës evropiane.
Pas eliminimit të Ballkanit dhe Malishevës, Drita mbetet skuadra e vetme nga Kosova që vazhdon garimin në kualifikimet për garat evropiane./lajmi.net/