Spanja ka arritur të marrë fitore të thellë me rezultatin 4-1 në transfertë përballë Zvicrës, ndeshje kjo e vlefshme League A, Grupin 4.
Për vendasit u vu re se vuajtën shumë mungesën e Granit Xhakës, i cili mori karton të kuq në humbjen e pësuar pak ditë më parë me Danimarkën.
Miqtë ia dolën që të kalojnë në avantazh me anë të Joselu, i cili në minutën e katërt realizoi golin e parë.
Zvicra reagoi shpejt duke barazuar rezultatin në 1-1 me anë Becir Omeragic, por pas ndërhyrjes të VAR-it goli u anulua për shkak të prekjes së topit me dorë.
‘Furitë e Kuqe’ ia dolën që ta dyfishojnë avantazhin disa minuta më vonë me anë të Fabian Ruiz, i cili realizoi në të 13-ën.
Në minutën e 20-të Spanja mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Robin Le Normand.
Zvicra përfitoi nga superioriteti numerik duke ngushtuar shifrat në 2-1 pas golit të shënuar nga Zeki Amdouni (41’).
Në pjesën e dytë Spanja nuk u tërhoq dhe gjeti golin edhe në dy raste të tjera.
Tek goli i tretë sërish protagonist ishte Fabian Ruiz, i cili realizoi 3-1 pas një asist të Ferran Torres. Ky i fundit shënoi edhe golin e katërt.
Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Zvicra renditet e fundit në grup me asnjë pikë të grumbulluar, ndërsa Spanja mban vendin e dytë me katër pikë, dy më pak se Danimarka.