Si pjesë e rotacionit masiv që trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente pritet të bëjë kundër kuqezinjve sonte në mbrëmje në Dyseldorf është dhe aktivizimi i Hezus Navas në mbrojtje.Lojtari i Seviljes pritet të bëhet futbollisti më i moshuar i Spanjës që luan në një kompeticion madhor, Europian ose Botëror. Me 38 vjeç e 216 ditë ai pritet të bashkohet më një “koloni” veteranësh që kanë luajtur apo vazhdojnë të luajnë në evenimente të mëdha, ku flamurtar është mbrojtësi i Portugalisë, Pepe me 41 vjeç e 117 ditë.
Jo më kot, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente ka zgjedhur pikërisht Hezus Navasin si shoqërues të tij në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër kuqezinjve. Ai është shprehur i lumtur që do të ketë mundësinë të luajë në fazën finale të një tjetër Europiani. Teksa nga ana tjetër ka paralajmëruar Shqipërinë.
“Është kënaqësi të jem këtu dhe të kem fatin të luaj një tjetër Europian. Shpresojmë që të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë kundër Shqipërisë, siç kemi treguar në dy ndeshjet e para në grup. Ne gjithnjë zbresim në fushë për të fituar dhe kështu do të kërkojmë të bëjmë dhe ndaj Shqipërisë”, deklaroi Navas.
PANORAMASPORT.AL