Ka disa mbrëmje që mbeten të veçanta. E tillë do të jetë kjo për kapitenin e Philadelphia 76ers, Joel Embiid, që arriti nivelin më të lartë në karrierë në NBA me 70 pikë të shënuara, duke kontribuar jo pak në fitoren 133-123, që “76ers” arritën ndaj San Antionio Spurs, për të mbajtur kështu vendin e 3-të në Konferencën Lindore, shumë pranë Milwaukee Bucks, të vendit të dytë.
“Ylli” i lindur në Kamerun, shkëlqeu në përballjen me “gjigantin” e ri të San Antonio Spurs, Viktor Wembanyama, duke thyer rekordin e pikëve për skuadrën e Philadelphia dhe këtë e realizoi në një mbrëmje të spikatur. Lojtari më i mirë i sezonit të rregullt vitin e kaluar pati gjithashtu rekordin personal të 18 topave në tabela, ndërsa shtoi edhe 5 asistë.
Pas ndeshjes, Embiid e kritikoi veten sepse gaboi në shumë gjuajtje, dhe se mund të kishte më shumë pikë, megjithatë, ai është shënuesi më i mirë i sezonit dhe deri tani i vlerësuar si lojtari “numër 1”.
Ndërkaq, kujtojmë se rekordi për më shumë pikë në një ndeshje, të NBA mbahet nga “legjenda” amerikane, Wilt Chamberlain, me këtë të fundit, që ka arritur të shënojë plot 100 pikë, në përballjen Philadelphia Warriors-New York Knick, të fituar me rezultatin 169-147, ndërsa vendi i dytë mbahet nga Kobe Bryant, me 81 pikë, në fitoren 122-104, ndaj Toronto Raptors. /i.m /abcnews.al