Ndahet nga jeta një emër i njohur i futbollit shqiptar. Esat Bushati, ish-lojtari i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Klubi shkodran me anë të një njoftimi i shpreh ngushëllimet familjes dhe njofton se homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
“KF Vllaznia shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 97 vjeçare të ish- futbollistit të klubit tonë Esat Bushati, i cili ka dhënë një kontribut të madh për fanellën kuqeblu në vitet ’40-’60.
Përpos karrierës me Vllazninë, ka luajtur me sukses edhe për Partizanin dhe kombëtaren shqiptare duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të atyre viteve.
Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”. I përjetshëm qoftë kujtim yt Esat Bushati!”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran.