Arlind Ajeti vazhdoi shkëlqimin e tij me fanellën kuqezi, duke dhënë një tjetër paraqitje solide në fitoren minimale ndaj Andorrës. Pas ndeshjes, mbrojtësi i Kombëtares foli për “Supersport”, ku u shpreh i kënaqur me rezultatin, por edhe i vetëdijshëm për sfidën e radhës.
“E prisnim një ndeshje të tillë, sepse Andorra është një kundërshtar i vështirë për t’u thyer. Duhet të ishe i përqendruar gjatë gjithë kohës. Edhe pse fituam vetëm 1-0, e menaxhuam si duhet,” – tha Ajeti, i cili e cilësoi suksesin kryesor të mbrëmjes faktin që Shqipëria siguroi matematikisht “play off”-in e Botërorit.
Për sfidën e ardhshme ndaj Anglisë, mbrojtësi kuqezi ishte i prerë:
“Do ta marrim shumë seriozisht edhe ndeshjen ndaj Anglisë. Do të bëjmë analizën, kemi dy ditë për t’u përgatitur. Aty do të jetë një histori krejt tjetër.”
Një nga pikat më të forta të kuqezinjve gjatë këtyre kualifikimeve ka qenë mbrojtja, me vetëm tre gola të pësuar. Ajeti e shpjegoi kështu këtë soliditet:
“Të gjithë kemi punuar shumë në aspektin difensiv. Me Gjimshitin njihem prej 17 vitesh, jemi rritur bashkë dhe kjo na ndihmon shumë në fushë.”
Mbrojtësi nuk fshehu emocionet për atë që i jep Kombëtarja:
“Në Kombëtare ndihem gjithmonë krenar. Është privilegj të përfaqësosh shqiptarët. Do të jap maksimumin edhe në ndeshjen e fundit.”
Duke analizuar sfidën ndaj Andorrës, Ajeti pranoi se loja nuk ishte e lehtë:
“Andorra u mbrojt shumë mirë, na e vështirësoi punën. Kemi pasur qetësi dhe kemi pritur momentin e duhur. Jemi të kënaqur me 1-0, por ka ende shumë për t’u përmirësuar.”


