Me përballjen Drita – Prishtina, do të mbyllet edhe zyrtarisht viti 2025 sa i përket Superligës së Kosovës në futboll, si dhe stinori vjeshtor.
Në fakt, xhiro e fundit e stinorit vjeshtor në Superligë, është zhvilluar vikendin e shkuar, por kjo është ndeshje e mbetur.
I takon xhiros së 13-të, dhe ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në fazën e ligës të Ligës së Konferencës, garë në të cilën ka siguruar fazën “play-off”.
Dueli i mbetur ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, do të luhet të mërkurën nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.
Si Drita ashtu edhe Prishtinë nuk kanë treguar formë stabile javët e fundit në elitën e futbollit kosovar, dhe të dyja skuadrat synojnë fitoren, në mënyrë që ta mbyllin vitin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Prishtina është e dyta në tabelë me 30 pikë, katër më shumë se Drita që zë vendin e pestë, ndërsa lider është Ballkani me 33 pikë të grumbulluara.


