Reali i Madridit ka pë suar humbjen e parë në La Liga dhe e ka bërë në një ndeshje shumë të rëndësishme, derbi i qytetit kundër Atletikos. “Los blancos” janë mundur 3-1, të dominuar nga Atletiko, duke bërë dhe të dorëzojnë kreun në duart e Barcelonës. Trajneri Karlo Ançeloti është munduar të shpjegohet në lidhje me humbjen, duke vënë theksin te disa gabime të vëna re.
GABIMET NË MBROJTJE – “Nuk mendoj se problemi qëndron te skema që kemi përdorur. Ne filluam me mesfushën në formë diamanti me Modriçin si mesfushor dhe Bellingam me Rodrigon përpara. Problemi, e thashë, nuk ishte skema, por gabimet që bëmë në mbrojtje. Ne nuk u mbrojtëm mirë, ishim të brishtë në zonën tonë. Atletiko bëri lojën që dëshironte dhe ne ia bëmë më të lehtë. Ata luajtën më mirë dhe e merituan”.
GOLAT E SHPEJTË – “Ne kemi folur për këtë dhe do të vazhdojmë të flasim. Është e rëndësishme të futemi të përqendruar që nga minuta e parë. Rivalët kanë kaluar herët në avantazh dhe ne mundëm të ktheheshim, ishim afër ta kthenim këtë, por 3-1 e mbylli lojën. Ishte shumë për t’u rikuperuar”.
POLEMIKAT PËR GOLIN E ANULUAR – “Unë nuk e kam parë ende momentin, por më thanë se Rydiger ishte në pozicion jashtë loje në nisjen e aksionit”.
ZËVENDËSIMET – “Pozicioni i Bellingamit nuk ka ndryshuar shumë në aspektin sulmues. Ky nuk ka qenë problem. Ka qenë problemi i brishtësisë së mbrojtjes, që nuk e kemi pasur në ndeshjet e para, në 45 minuta për pak sa nuk na shënuan 3 gola, nuk ka qenë një natë e mirë, nuk do të flas për individualitetet. Skuadra nuk ka qenë kompakte, veçanërisht në pjesën e parë. Atletiko ka përfituar nga kjo”.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL