Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur sot në konferencë për media, para ndeshjes së nesërme tejet të rëndësishme kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës.
Ballkani luan nesër kundër Viktoria Plzenit në rolin e vendasit, por që ndeshjen e zhvillon në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Para ndeshjes, Daja foli për përgatitjen e kampionit të Kosovës për nesër, ndërsa zbuloi se Bleart Tolaj do të mungojë si pasojë e një lëndimi.
“Do jemi në 100% e motivimit nëse nesër do të na mbështesin një publik sa më i gjerë këtu në Shqipëri. Me kontingjentin nuk jemi 100% në dispozicion sepse kemi mungesat e Hamidit, që është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë, kemi edhe Tolajn që është dëmtuar pardje në seancën stërvitore dhe kemi rikthimin pas ndeshjes me Malishevën të Berishës që i është bashkuar grupit në stërvitje, por që mendoj që çdo futbollistë në një stadium të tillë, në një moment të tillë që neve mund të bëjmë diçka që nuk është bërë asnjëherë, pretendojmë të bëjmë një diçka të tillë, se nuk po e them për t’i ngarkuar edhe lojtarët”, tha Daja.
Më tej, Daja tregoi edhe se çka duhet të bëjë skuadra e tij nesër, duke thënë se lojtarët e tij do të jenë në 100% e tyre.
“Ajo që duhet të bëjmë është që ta marrim ndeshjen me qetësi, të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës, sepse dihet që Viktoria Plzen ka një tranzicion, qoftë negativ qoftë pozitiv, shumë të fortë, dhe nëse do të kesh hapësira të lëna bosh, apo ndonjë që dimë, mund të pësosh. Gjithsesi nesër i gjithë kontingjenti që është në dispozicion, besoj që do të jetë në 100% e tyre në këtë ndeshje të vështirë”, tha Daja.
Për fund, Daja tha se Ballkani duhet ta fitojë ndeshjen e nesërme, nëse pretendon ta realizojë “ëndrrën e çmendur” që është kualifikimi.
“Jemi me këmbë në tokë, sigurisht që edhe këtu ku kemi arrit është një arritje historike për futbollin e Kosovës dhe futbollin e Suharekës, sepse kemi dy vite që prezantohemi në grupet e Ligës së Konferencës. Neve nesër do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme me kontingjentin që kemi në dispozicion, por që ajo që unë do të vlerësoja nesër nuk është vetëm fakti i pikëve sepse nëse do të pretendojmë në një ëndërr të çmendur, po e them në thojza, duhet patjetër që ta fitojmë ndeshjen”.
Ballkani e luan ndeshjen e nesërme kundër Viktoria Plzen në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, pasi që stadiumi “Fadil Vokrri” është në gjendje të tmerrshme.