Monday, 23. March 2026
Sport

Ndeshja Poloni-Shqipëri, Levandovski bën deklaratën e fortë

GS 23/03/2026 2 Min. Lesezeit

Polonia do të përballet me Shqipërinë më 26 mars në një ndeshje shumë të rëndësishme play-off për Botërorin, një sfidë që pritet me interes të madh nga tifozët e të dyja kombëtareve. Në prag të këtij takimi, ka folur kapiteni i Polonisë, Robert Lewandowski, i cili ka ndarë disa mendime mbi ndeshjen, formën e tij dhe situatën aktuale në karrierë.

Duke u ndalur fillimisht te e ardhmja e tij në klub, sulmuesi i FC Barcelona u shpreh shkurt se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. “Ende nuk janë marrë vendime”, tha ai, duke lënë të hapur çdo mundësi për sezonet e ardhshme.

Një tjetër temë që u prek gjatë deklaratës së tij ishte ajo e penalltive, një aspekt shumë i rëndësishëm në ndeshje të tilla vendimtare. Lewandowski theksoi se përvoja luan një rol kyç në këto momente.

Sipas tij, një lojtar që nuk ka gjuajtur më parë mund të ndjejë hezitim, ndërsa ai vetë ndihet i gatshëm të marrë përgjegjësinë.

Megjithatë, ai nënvizoi se mbi të gjitha vjen interesi i ekipit dhe ndonjëherë është më mirë që topin ta marrë lojtari që është në formën më të mirë në atë moment.

Sa i përket përballjes me Shqipërinë, kapiteni polak tregoi respekt maksimal për kundërshtarin. Ai u shpreh se shpesh një gol i vetëm mund të bëjë diferencën në ndeshje të tilla dhe nuk e konsideron aspak të lehtë këtë sfidë.

“Nuk do ta krahasoja këtë ndeshje me atë të fundit kundër tyre. Shqipëria është gjithmonë një kundërshtar i vështirë. Ishte e vështirë jashtë fushe, por nuk ishte e lehtë as në shtëpi”, deklaroi ai.

Në fund, Lewandowski shtoi se shpreson që Polonia të arrijë në finalen e dytë të play-off-it, duke lënë të kuptohet se objektivi i skuadrës është kualifikimi dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt Botërorit.

Teilen: