Futbolli kosovar së fundi pësoi një tronditje të madhe për shkak të dyshimeve që u ngritën për kurdisje në ndeshjet e Ligës së Parë në Grupin B ndërmjet Ulpianës dhe Vllaznisë.
Pas shqyrtimit të ndeshjes dhe rishikimit të saj përmes xhirimeve, Komisioni i i Garave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim për anulimin e saj. Në vendim thuhet se është konstatuar se ndeshja në fjalë është e kurdisur.
Pas vendimit të FFK-së, kjo çështja ka kaluar edhe në duart e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive në kuadër të Ministrisë së Sportit derisa mësohet se me këtë çështje është duke u marrë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Kundër këtyre pretendimeve për kurdisje ka reaguar edhe Kryetar i Klubit të Futbollit Ulpiana i cili ka thënë se ai është në gjendje të garantojë që nuk ka pasur kurdisje të rezultatit në ndeshje kundër Vllaznisë.
“I është njollosur Ulpianës emri dhe është diçka shumë e çuditshme, i janë gjuajtur vetëm Ulpianës, nuk po mundem ta kuptoj, kjo Ulpianë është duke bërë shumë për futbollin…Ne ankesën do ta bëjmë, do të shkojmë deri ën fund, unë jam i hapur edhe për prokurorinë 24 orë, jam në gjendje t’i përgjigjem çdonjërit që më thërret dhe më merr në pyetje për këtë punë sepse unë jam kryetar këtu dhe unë e di këtu çfarë bëhet dhe unë vendosi këtu. Unë garantoj që nuk ka pasur ndeshje të kurdisur”, theksoi Gashi.
Ndryshe, në renditjen aktuale të Ligës së Parë, Ulpiana është në vendin e katër me 37 pikë, kurse Vllaznia e nënta me 14 pikë.