Vdekja tragjike e sulmuesit të Tenerife-s, Jesus de Miguel, ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa tashmë po shqyrtohet mundësia e pezullimit të të gjitha ndeshjeve të La Ligës për një fundjavë.
Sipas mediumit italian SportMediaset, duke iu referuar raportimeve të radios spanjolle SER, drejtuesit e La Ligës, në krye me presidentin Javier Tebas, kanë diskutuar mundësinë e shtyrjes së ndeshjeve të ardhshme, si në divizionin e parë, ashtu edhe në të dytin.
Një vendim përfundimtar pritet të merret në orët në vijim dhe më pas t’u komunikohet zyrtarisht klubeve. Megjithatë, për një vendim të tillë duhet të zgjidhen paraprakisht edhe çështjet kontraktuale.
Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Granadës dhe Tenerife-s, e planifikuar për të shtunën në orën 21:00, tashmë është shtyrë për një datë tjetër.
Federata Spanjolle e Futbollit ka shtyrë gjithashtu disa ndeshje të Kupës së Mbretit, si dhe aktivitete të tjera futbollistike, në shenjë zie pas tragjedisë.
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka shprehur publikisht dhimbjen për ndarjen nga jeta të futbollistit.
“Jam thellësisht i trishtuar nga ndarja nga jeta e Jesus de Miguel Alameda. Ne të gjithë ndajmë dhimbjen e tmerrshme të një humbjeje të pariparueshme. Ngushëllimet e mia më të thella familjes së tij, të dashurve, shokëve të ekipit dhe të gjithë klubit. Gjithë dashurinë dhe mbështetjen time në këtë kohë të vështirë. Pusho në paqe”, ka shkruar Tebas.
De Miguel ndërroi jetë pas një përplasjeje të rëndë me portierin e Andorrës, Owono, i cili gjatë një aksioni doli me vrap nga porta dhe e goditi sulmuesin me gju në gjoks.