Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta, tani ndihmës i Silvinjos te Kombëtarja shqiptare, dha një intervistë për “Flashscore”.
Ai reflektoi mbi momentet kryesore të karrierës së tij, rishikoi përplasjen e “Qytetarëve” me Napolin 14 vjet më parë, shija e tyre e parë e futbollit të Ligës së Kampionëve dhe kujtoi emocionet e fitimit të titullit të parë të Premier Ligës të klubit nën drejtimin e Roberto Mançini pas nëntë vitesh në “Etihad”.
Zabaleta foli gjithashtu për transformimin e Cityt gjatë kohës së tij atje, ndërsa pranoi kujtimin e hidhur të humbjes së Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2014.
Në fushë, ai spikati për aftësitë e tij të palodhura si mbrojtës i djathtë, diçka që tani përpiqet t’ua kalojë lojtarëve shqiptarë nën urdhrat e tij.
Në moshën 40 vjeç, Pablo Zabaleta është ndihmës trajner i Silvinjos me ekipin kombëtar të Shqipërisë, një argjentinas dhe një brazilian që punojnë së bashku në futboll, një gjë e rrallë…
“Po, është e vërtetë që, nga një perspektivë futbolli, është diçka e çuditshme. U takuam në sezonin 2009-2010 te Manchester City, dhe ai erdhi nga Barcelona, ndërsa unë kisha ardhur një vit më parë nga Espanjol.
Lindi një miqësi atje, dhe tre vjet më parë, ai më telefonoi për ta ndihmuar të stërviste Shqipërinë.
Ishte një mundësi që e shfrytëzova me nxitim. Të shkosh në Kupën e Botës është ëndrra. Tani jemi të dytët në grup, shtatë pikë pas Anglisë, por një pikë përpara Serbisë. Dhe sfida tjetër do të jetë në shtëpinë e rivalëve tanë.
Është një sfidë që duhet të merret me kujdesin e duhur, sepse në vitin 2014, pati probleme (disa përleshje midis lojtarëve pasi një dron fluturoi me një flamur të Shqipërisë së Madhe, që përfshin shtetin e Kosovës). Është një ndeshje që mbart shumë rreziqe sociale, por ne duam të shkojmë në Kupën e Botës”.
Çfarë do të ndodhte nëse një komb me më pak se tre milionë banorë do të arrinte në Kupën e Botës?
“Ah, do të na bënin një statujë në Tiranë!”
Ishe argjentinasi i parë që luajti ndonjëherë te Manchester City. Pastaj erdhën bashkatdhetarë të shquar si Karlos Tevez, Serxhio Aguero dhe Julian Alvarez, për të përmendur vetëm disa. Megjithatë, pas nëntë vitesh, ti je ai që e ka mbjellë farën argjentinase me më shumë fryte…
“Arrita i ri, në moshën 23 vjeç. Dhe e vërteta është se, po, e kalova praktikisht të gjithë karrierën time në Angli. Ishin 12 vjet midis Manchester Cityt dhe West Ham”.
Ju dëshmuat nga afër transformimin e Cityt nga një ekip i mesit të tabelës në dominim në Angli dhe Evropë…
“Po, mendoj se së bashku me Vinsent Kompanyi dhe Xhoe Hart, isha ndër të paktët që panë transformimin para se të vinin pronarët e rinj. Jo vetëm në një nivel sportiv, por edhe në aspektin e infrastrukturës. Në fillim, nuk mendoja se mund të fitoje vërtet diçka me një klub të mesit të tabelës. Dhe pastaj, në vend të kësaj…”
E diela, 13 maj 2012, ndryshoi gjithçka…
“Ajo fitore në minutat e fundit kundër QPR ishte një ngjarje historike – kryesisht sepse ne po luanim për titull kundër Mançester Junajtid i cili po fitonte gjithashtu kundër Sandërland, dhe ne ishim një gol poshtë në minutën e 90-të.”
Dhe në atë fitore 3-2, vështirë se dikush kujton se goli i parë ishte i juaji…
“Kjo është e vërtetë, është ndoshta goli më i harruar në histori! Mbaj mend që kisha hyrë në zonë dhe Jaja Toure më kishte shërbyer. Kisha pak kohë ose hapësirë për të menduar, dhe godita sa më mirë që munda. Topi u prit nga portieri në një mënyrë të çuditshme, ai shkoi lart dhe përfundoi në çatinë e rrjetës. Por në fund, ishte pothuajse e pakuptimtë, nëse mendoni për këtë”.
Pastaj, finalja epike…
“Falë Zotit që ishte Kun (Aguero) ai që shënoi dhe na dha një titull të paharrueshëm. Nga 2-1 deri në minutën e 90-të, në katër minuta, ne morëm kryesimin dhe fituam titullin e parë në historinë moderne të Cityt”.
A mund të themi se në atë moment, jo vetëm historia e Cityt ndryshoi, por edhe e juaja?
“Absolutisht po, veçanërisht mënyra se si ndodhi e gjitha. Këto janë rezultate që rrallë ndodhin në botën e futbollit. Ajo që përjetuam në atë moment ishte si një skenë nga një film. Dhe festuam dyfish më shumë”.
Megjithatë, dy vjet më vonë, ajo finale e Kupës së Botës midis Argjentinës dhe Gjermanisë në Marakana nuk ishte një film me një fund të lumtur…
“Po, ajo finale e humbur është një plagë që do të zgjasë praktikisht një jetë, një plagë që nuk do të shërohet kurrë. Në fund të ndeshjes, isha 29 vjeç dhe e dija se do të ishte shumë e vështirë për mua, ndoshta, të luaja për Kupën e Botës të ardhshme sepse jo të gjithë mund të jenë 33 ose 34 vjeç dhe të luajnë, veçanërisht në pozicionin e mbrojtësit të krahut. Për fat të mirë, Mesi dhe Di Maria fituan në Katar dhe e hoqën atë mallkim nga shpina. Por për mua, ishte një zhgënjim i madh, sepse të jesh kampion bote do të thotë të prekësh qiellin me një gisht”.
Për Cityn, çfarë lloj ndeshjeje do të jetë me Napolin?
“Një ndeshje e vështirë, sepse Napoli është rritur vitet e fundit. Por unë jam gjithmonë i bindur se në Ligën e Kampioneve është më mirë të fillohet në shtëpi, veçanërisht pasi është fillimi i sezonit. Është më mirë që Guardiola të shmangë kaosin në Napoli dhe të jetë në gjendje ta luajë këtë ndeshje para tifozëve të tij. Ashtu si në Amerikën e Jugut, disa stadiume është më mirë të shmangen!”