Sulmuesi i Mançester Sitit, Erling Haland, është gati të rikthehet nga lëndimi këtë fundjavë, thotë trajneri Pep Guardiola.
Haland kishte qenë jashtë fushave që nga marsi, pasi pësoi një dëmtim në kavilje në Kupën FA kundër Bornmëthit, por kthehet në kohë për të luajtur në finalen e saj më vonë këtë muaj. Ylli 24-vjeçar i kombëtares norvegjeze ishte në stol në fitoren kundër Uolvesit në Premier Ligë javën e kaluar.
Duke folur para udhëtimit të skuadrës së tij në Sauthempton sot, Guardiola tha për disponueshmërinë e Halandit: “Ai është gati, është në formë. Nëse do të luajë si titullar, do ta shohim nesër (sot)”. Siti është i treti në tabelë, tri pikë mbi Notingem Forestin e vendit të gjashtë, ndërsa klubet luftojnë për të fituar një nga pesë vendet e para që ofrojnë këtë sezon futbollin e Ligës së Kampioneve. Pas përballjes me Sauthemptonin, skuadra e Guardiolës do të luajë me Kristal Palasin në finalen e Kupës FA në “Uembli” më 17 maj, përpara se të përfundojnë sezonin e tyre në kampionat me ndeshjet kundër Bornmëthit dhe Fulhamit. Në një intervistë për “ESPN” këtë javë, Haland tha se sezoni zhgënjyes i Sitit pas një serie prej katër titujsh radhazi në ligë, ishte për shkak të humbjes së “urisë” në skuadër. “Mund të gjesh justifikime, dëmtime, shumë lëndime në kohë të këqija, por në fund të fundit nuk kemi luajtur mjaftueshëm mirë”, tha Haland.
“Nuk e kemi pasur plotësisht urinë brenda nesh. Nuk kam qenë mjaftueshëm i mirë. Nuk e kam ndihmuar ekipin mjaftueshëm. Në fund të fundit, nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë”. I pyetur për këto fjalë, Guardiola tha: “Nëse është një ndjesi për Erlingun, lojtarët duhet të flasin me njëri-tjetrin dhe të pyesin veten përse”. Pep komplimentoi edhe Alonson që do largohet nga Leverkuseni: “Ndikimi i tij atje ishte i pabesueshëm. Të shkosh në Gjermani dhe të përballesh me Bajernin, është gjithmonë e vështirë. Sezonin e kaluar, ata ishin të pamposhtur, me përjashtim të ndeshjes së fundit kundër Atalantës”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL