Këshilli i Ministrave ka miratuar tri vendime të rëndësishme që lidhen me procesin e shpronësimit për interes publik të pronave private që preken nga projekte madhore infrastrukturore në Fier, Tiranë dhe në nyjën lidhëse të superstradës Tiranë–Durrës.
Aktet e reja normative, të propozuara nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshijnë ndryshime buxhetore, shtime të listave emërore të pronarëve dhe procedurat e likuidimit financiar.
Rikonstruksioni i rrugës ‘Shën Gjergji’ – ‘Naun Kaçaku’ (Fier)
Përmes Vendimit nr. 762, qeveria ka ndryshuar vendimin ekzistues nr. 94 (datë 12.2.2025) për projektin e rikonstruksionit të segmentit rrugor “Shën Gjergji” – “Naun Kaçaku” (ish-ura me shkallë – stacioni i Patosit) në Fier.
Vlera totale e shpronësimit rritet nga 13,684,429 lekë në 13,979,684 lekë. Listës së shpronësimeve i shtohet pasuria nr. 19 (Zona Kadastrale 8531) në bashkëpronësi të familjes Dëma, Rezhda, Beka dhe Veli, me një vlerë dëmshpërblimi prej 295,255 lekësh për truall dhe ndërtesë.
Vlera prej 50,000 lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
Vazhdimi i Unazës së Madhe të Tiranës dhe Unaza Lindore
Me Vendimin nr. 763, Këshilli i Ministrave ka bërë ndryshime në vendimin nr. 662 (datë 13.10.2022) për lotet 4, 5 dhe 6 të Unazës së Madhe (nga Sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri) dhe rikualifikimin e Unazës Lindore.
Vlera e përgjithshme e kompensimit për pasuritë (truall, tokë arë, ndërtesë, apartamente, njësi e bodrume) rritet në 4,289,967,687.6 lekë (nga 4,287,593,896 lekë që ishte më parë).
Listës emërore i shtohet pasuria nr. 341 (Zona Kadastrale 8170) në emër të Hamit Velo Allka, me sipërfaqe trualli prej 72.2 m² të shpronësuar dhe vlerë kompensimi prej 2,373,791.60 lekësh.
Shpenzimet procedurale (50,000 lekë) përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Nyja lidhëse e rrugës së Laknasit me superstradën Tiranë–Durrës
Përmes Vendimit nr. 764, qeveria ka shpallur shpronësimin e ri për interes publik të pronave që preken nga ndërtimi i nyjës që lidh rrugën e Laknasit me projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë–Durrës.
Vlera totale prej 19,916,795.10 lekësh përballohet nga Buxheti i Shtetit (“Fondi i Shpronësimeve” pranë Bankës së Shqipërisë) në favor të ARRSH-së.
Në listën prej 11 pasurish (Zona Kadastrale 2679) përfshihen me sipërfaqe toke e ndërtesa subjekte privatë e biznesore, mes të cilave Qendra Tregtare Univers, Energia B SHPK, si dhe pjesëtarë të familjeve Loçka, Murataj, Ziso e Avdiaj.
Shpronësimi fillon menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit është brenda 3 muajve. Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë transaksionet për këto pasuri dhe brenda 30 ditëve do të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.
Vendimi përcakton shprehimisht se për pasuritë që rezultojnë me barramarrje apo hipotekë bankare, likuidimi do të kryhet duke garantuar së pari të drejtat e kreditorëve hipotekorë.
/rtsh.al/