Barcelona ka intensifikuar kontaktet me Lajpcigun në negociatat për nënshkrimin me mesfushorin spanjoll të klubit gjerman, Dani Olmo. Barcelona i propozoi Lajpcigut një ofertë 40+20, që do të thotë 40 milionë euro në dorë dhe 20 milionë të tjera në variabla, ofertë kjo e refuzuar nga gjermanët.Por Barça nuk është tërhequr dhe i ka bërë një ofertë që duket se ka bindur dhe Lajpcigun. Sipas gazetës spanjolle “AS”, negociatat janë në fazën përfundimtare dhe “mund të mbyllen në ditët në vijim”. Këtë e ka konfirmuar edhe gazetari i njohur i merkatos, Fabricio Romano, që e ka bërë fakt të kryer firmën e spanjollit me klubin blaugrana. “Marrëveshja mes Barçës dhe Dani Olmos është totale”, ka shkruar ai në “X”.
Por Romano nuk është mjaftuar vetëm me kaq, por ka dhënë të gjitha hollësitë e marrëveshjes mes palëve. Sipas tij, Dani Olmo do të firmosë për Barcelonën një kontratë 6 vjeçare, e cila do të zgjasë deri në vitin 2030. Oferta e re që Barcelona ka dërguar në Lajpcig garanton 55 milionë euro të thata. Pastaj janë dhe disa milionë të në ajër që do ta çonin deri në 62 milionë euro operacionin e transferimit të Dani Olmos në Barcelonë.
Lajpcigu e ka vlerësuar lojtarin në 60 milionë euro në një klauzolë përfundimi që ka skaduar më 20 korrik. Olmo, i cili ka pasur oferta edhe nga Mançester Junajtid dhe Bajerni i Mynihut, u stërvit në akademinë e Barcelonës “La Masia” dhe u largua nga ekipi i Barçës në vitin 2014. I stërvitur në akademinë e të rinjve, ai nënshkroi për Espanjolin dhe më vonë për Barcelonën, ku luajti shtatë vjet në kategoritë inferiore. Dhe duket se pas dhjetë vjetësh ai do të bashkohet sërish me klubin blaugrana.
PANORAMASPORT.AL