“Sapo prek topin të jep ndjesinë se diçka e rëndësishme, por njëkohësisht e rrezikshme mund të ndodhë nga çasti në çast”. Janë këto fjalët e Lydovik Obranian për Edon Zhegrovën, pas ndeshjes mes Lilës dhe Metzit, të datës 28 prill.
Lilë triumfoi 2-1, ndërsa anësori ofensiv kosovar u zgjodh edhe lojtari i ndeshjes, pas 87 minutave lojë, por elozhet për të ishin me tonelata në emisionet sportive transalpine. “Realisht, unë mendoj se ky djalë ka gjithçka për t’u bërë një ‘top-player’ brenda një kohe shumë të shkurtër”, vazhdoi vlerësimin e tij ishfutbollisti polak, me Obranian që kujtojmë se në të kaluarën e tij ka luajtur si për Lilën, ashtu sikurse për Metzin në kampionatin francez.
Por nëse kjo ishte garnitura, qershinë mbi tortë për Edon Zhegrovën e dha edhe një bomber madhështor si Xhibril Cise: “Unë nuk mendoj se sot në Ligën 1 ka një futbollist që i jep sigurinë e duhur skuadrës së tij si Edon Zhegrova. Është vërtet fantastik”. Me 11 gola dhe 9 asiste në 44 ndeshje me Lilën, ylli i Kombëtares së Kosovës ka fituar kopertinat e javës në Francë, por më shumë se kaq, çdo ditë që kalon tërheq rreth vetes edhe interesin e klubeve të mëdha të Europës. Ndoshta, jo më kot Juventusi dhe Kristiano Xhuntoli kanë nisur që t’i vihen pas 25-vjeçarit, madje, me median franceze në kor, e cila është e bindur se “Zonja e Vjetër” jo vetëm është në avantazh, por edhe tepër e bindur për të mbyllur marrëveshjen me Lilën.
Këta të fundit e paguan vetëm 7 milionë euro Zhegrovën, pasi e morën në janar 2022 nga Bazeli, por Juventusi ka arritur që të ofrojë fillimisht 14 milionë euro për kartonin e tij, ndonëse lajmet e fundit thonë se në Torino janë gati që të shtyhen deri në 20 milionë euro. Këto shifra vërtet të rëndësishme tregojnë jo vetëm sezonin fantastik që Edon Zhegrova po bën në Ligën 1, por mbi të gjitha seriozitetin me të cilin Juventusi po ndjek lojtarin në fjalë, për të cilin do të kenë shumë shpejt një takim. Dhe pse jo, Zhegrova, nga sezoni i ardhshëm, mund të jetë lojtari i radhës me gjak shqiptar që i shtohet Serisë A.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL