Hetimet për skandalin më të fundit mbi arbitrat në Itali vazhdojnë dhe mendohet se hetimet do të mbyllen jo më parë muajit nëntor duke lënë të kuptohet se penalizimet e mundshme do të prekin sezonin 2026-2027. Nëse Gjykata Sportive në Itali do të konsideronte shkeljet si të dënueshme atëherë skuadrat dhe individët e përfshirë do të mësonin dënimet vetëm në pjesën e dytë të këtij viti.
Nga dëshmitë e para të dhëna prej disa arbitrave është kuptuar se se i ashtuquajturi “sistemi Rocchi” nuk ishte diçka e panjohur për Shoqatën Italiane të Arbitrave (AIA). Caktimi i arbitrave ishte “i pilotuar” ose i “kombinuar” për të favorizuar disa arbitra, të cilët konsideroheshin si të afërt me Rocchi-n. “Miqtë” e tij kishin një privilegj pasi nëse merrnin ndeshje të caktuara do të përfitonin si nga ana profesionale, por dhe ajo financiare. Ndeshjet e mëdha konsideroheshin si një premio për arbitrat “e rrjeshtuar” me Rocchi-n. “Pas një debati të ndezur që kisha me atë, nuk e pashë më Serie A”, ka thënë një dëshmitar në njërën prej dëshmive të publikuara në “La Repubblica”.
Çfarë është sistemi Rocchi? – Trokitjet famëkeqe në dhomën e VAR-it ishin një “privilegj” për gjyqtarët më të afërt me Rocchi-n, në mënyrë që vlerësimet e tyre individuale të ndeshjeve të ishin më të larta dhe kështu të ngjiteshin në renditje. Hetimet kanë treguar se në qendrën kryesore të VAR-it në Itali në Lissone jo të gjitha dhomat ishin të standardeve europiane. Disa prej tyre nuk kishin xham pasi kështu arbitrat pranë Rocchi-t do ta kishin më të lehtë që të komunikonin me të tjerët jashtë.
Çështjet Bologna-Inter dhe Inter-Milan – Sa u përket përcaktimit të arbitrave “La Gazzetta dello Sport” tregon se pas dëshmive të arbitrave konfirmohen akuzat e bëra kundër Rocchi-t për ndeshjet Bologna-Inter dhe Inter-Milan. Nga dëshmitë është konfirmuar fakti se arbitrat e caktuar ishin të pilotuar. Colombo konsiderohej si një arbitër i pëlqyer nga Interi ndërsa Doveri jo. Për hetuesit dëshmitë kanë treguar se arbitrat nuk ishin zgjedhur në bazë të meritokracisë.