Skandali në derbin e Madridit të dielën në mbrëmje vazhdon të jetë një temë dite në Spanjë. Mediat spanjolle kanë raportuar për detaje të tjera të dala në dritë nga derbi, ku veç sendeve të pafund të hedhura në drejtim të portierit të Realit, Tibo Kurtua, apo thirrjeve ofenduese nga të dyja tifozeritë (15 nga tifozët e Atletikos dhe 2 nga ata të Realit), policia spanjolle po heton edhe për praninë e thikave në stadium.
Sipas mediave spanjolle një nga tifozët e Atletikos që është identifikuar për çakmakët e hedhur drejt Kurtuasë, raportohet të ketë pasur një thikë. Kjo gjë ka vënë në lëvizje policinë e Madridit.
PËRJASHTIMI – Ngjarjet e ndodhura në “Metropolitano”, që çuan në pezullimin e derbit për 16 minuta, kanë sjellë dhe reagimin e klubit të Atletikos. Klubi kryeqytetas, organizator i takimit njoftoi të hënën vendimin për të “përjashtuar përgjithmonë” nga stadiumi “Metropolitano” personin e identifikuar të dielën nga Policia si të përfshirë në hedhjen e sendeve ndaj portierit Tibo Kurtua gjatë derbit kundër Realit.
Sipas burimeve nga Madridi, departamenti i sigurisë së klubit bardhekuq po vazhdon të punojë me Policinë për të identifikuar pjesën tjetër të personave të përfshirë në hedhjen e objekteve, të cilët do të dëbohen përgjithmonë sapo të gjenden.
17 AKUZA PËR KLUBET – La Liga, nga ana e saj, përmes drejtorit të ndeshjes i pranishëm të dielën në “Metropolitano”, ka denoncuar të gjitha episodet dhe thirrjet që nxitën dhunën në derbin e Madridit. La Liga ka renditur plot 17 raste nxitje dhune që ky organ i cilëson se janë të dënueshme, si në Kodin e Disiplinës Sportive të RFEF, ashtu edhe në legjislacionin kundër dhunës, racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës në sport. Edhe Komisioni Kundër Dhunës në Spanjë i ka dënuar incidentet e ndodhura në derbin e Madridit, duke premtuar masa të ashpra ndaj përgjegjësve, por edhe klubit “olchoneros”.
PANORAMASPORT.AL