Pjesa e parë e finales së Champions League mes PSG-së dhe Arsenalit është mbyllur 0-1 në favorin e londinezëve. Në “Puskas Arena” në Budapest, finalja e zhbllokua që në minutën e 5-të.
Pas një topi të marrë në anësore dhe një vrapimi drejt portës, Kai Havertz u tregua i saktë, duke dërguar topin në portën e Safonov. Gjermani është vetëm lojtari i tretë që shënon për dy ekipe të ndryshme në një finale në Champions League. Më parë, ka shënuar Velibor Vasovic për Partizan Beograd dhe Ajax. C.Ronaldo për Man. United dhe Real Madrid.
Në minutat në vijim, rasti më i diskutueshëm ishte ai i Bukayo Saka në minutën e 16-të, ku francezët pretenduan për një prekje të topit me dorë nga sulmuesi anglez brenda zonës dhe kërkuan penallti, por arbitri vazhdoi lojën normalisht.
Në minutat shtesë, Desire Doue pati një mundësi të mirë për të shënuar me kokë, pas një topi të marrë nga goditja e këndit, por goditja e sulmuesit përfundoi jashtë kuadratit. Mbrojtja e Arsenalit ka qenë e jashtëzkaonshme në pjesën e parë, duke thyer çdo aksion të parizienëve.
Kai Havertz po ashtu pati një mundësi të mirë në shtesë për të dyfishuar shifrat, po nuk u tregua i saktë këtë herë. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Arsenalin.
Kjo është finalja e dytë në histori për londinezët. Para 20 vitesh, në vitin 2006 Arsenal u mund 2-1 nga Barcelona dhe pse e mbylli pjesën e parë në avantazh. Ndërsa PSG është kampionia në fuqi e Europës, pasi fitoi vjet trofeun e parë duke mundur 5-0 Interin. Kjo është finalja e tretë në histori për parizienët. Të parën e humbën ndaj Bayern Munich në vitin 2020.