Wednesday, 28. October 2026
Sport

Nëntë asistime në ligë, Lutfi Dalipi hapave të Xherdan Shaqirit

GS 28/10/2026 2 Min. Lesezeit

Me nëntë asistime në 11 ndeshje, Lutfi Dalipi po zhvillon një sezon mbresëlënës te Vaduzi. Talenti 20-vjeçar është në garë për rekordin e asistimeve në një sezon të Superligës zvicerane, të vendosur nga Xherdan Shaqiri.

Lutfi Dalipi po tërheq vëmendjen në futbollin zviceran me paraqitjet e tij në fanellën e Vaduzit. Futbollisti ofensiv, i cili është i huazuar nga Young Boys (YB), ka regjistruar nëntë asistime në 11 ndeshje, duke u pozicionuar në rrugën drejt një rekordi historik.

Sipas portalit zviceran Sport.ch, Dalipi është në ritëm rekord për numrin e asistimeve në një sezon. Për të kuptuar peshën e këtij objektivi, mjafton të shihet historia e viteve të fundit në Superligën zvicerane.

Fillimisht, Miroslav Stevanovic vendosi standardin e ri në sezonin 2021/22, kur regjistroi 20 asistime. Ky rekord u tejkalua në edicionin 2023/24 nga Xherdan Shaqiri, i cili arriti në kuotën e 21 asistimeve, duke vendosur një tjetër rekord në elitën e futbollit zviceran.

Tashmë, Dalipi synon të futet në këtë histori. Me nëntë asistime në vetëm 11 paraqitje, 20-vjeçari ka krijuar një bazë të fortë për ta sfiduar shifrën e Shaqirit, ndonëse rruga drejt rekordit mbetet ende e gjatë.

Përveç aftësisë për të dhënë pasimin e fundit, Dalipi ka dëshmuar se mund të jetë vendimtar edhe si golashënues. Deri tani, ai ka shënuar pesë gola, duke arritur në gjithsej 14 kontribute direkte në gola.

Në një deklaratë për gazetën zvicerane Blick, futbollisti i përfaqësueses U21 ka treguar se preferenca e tij në fushë është e qartë: të ndihmojë bashkëlojtarët të shënojnë.

Dalipit i kanë mbetur edhe 27 xhiro për të vazhduar garën drejt rekordit. Për të kaluar shifrën historike të Shaqirit, atij i nevojiten edhe 13 asistime.

Në moshën vetëm 20-vjeçare, Dalipi përveç Zvicrës, ka mundësi të përfaqësojë edhe Kosovën, Shqipërinë por edhe Portugalinë, për shkak të prejardhjes së nënës së tij.

Teilen: