Dita e nesërme do të jetë e veçantë për Interin, pasi Bepe Marota do të presë tashmë në rolin e presidentit përfaqësuesit e Simone Inzagit, për të vendosur pikat mbi “i” për rinovimin e trajnerit me zikaltrit.
Drejtuesit e rinj të klubit do të takohen nesër me Tulio Tintin, menaxher futbollistësh i cili është njëkohësisht edhe ai që përfaqëson Inzagin në të gjitha diskutimet kontraktuale. Klubi pritet të vendosë në tavolinë një përmirësim të marrëveshjes aktuale me zgjatjen e saj deri në vitin 2027 apo të paktën deri në 2026 me të drejtën e shtyrjes edhe një tjetër edicion.
Edhe rroga e trajnerit do të preket, duke kaluar nga 5,5 milionë që përfiton aktualisht, në rreth 6,5 milionë euro në vit. Mendohet se të gjitha këto janë thjesht formalitet, pasi palët janë të lumtura për të vazhduar bashkëpunimin dhe pas kësaj mbledhje do të vendoset thjesht firma në kontratën e re.
PANORAMASPORT.AL