Wednesday, 25. March 2026
Futboll

Nesër Itali–Irlanda e Veriut, flet Zoff: Ndeshje shumë speciale, frika nuk ndihmon kurrë

GS 25/03/2026 2 Min. Lesezeit

I intervistuar nga “Corriere della Sera”, ish-portieri kampion bote më 1982, Dino Zoff, komentoi “play off”-in e nesërm kundër Irlandës së Veriut: “Nëse luajmë si Italia, kalojmë me siguri. Jemi më të fortë se Irlanda e Veriut, Uellsi dhe Bosnja. Kemi më shumë cilësi, lojtarë më të mirë dhe përvojë më të madhe. Këto janë ndeshje speciale, fiton ai që beson më shumë. Ne duhet të besojmë më shumë. Përndryshe…”

Zoff nuk dëshiron të spekulojë për pasojat e një humbjeje: “Nuk duhet të mendohet për këtë, frika nuk ndihmon kurrë. Duhet të jemi të përqendruar, të qartë, të bindur dhe, në njëfarë mënyre, të qetë, të vetëdijshëm për kapacitetet tona. Jemi Italia, bëjmë si Italia, pa menduar se kemi fituar ose humbur tashmë. Të hyjmë në fushë dhe japim gjithçka, me kokën lart”.

Ai nuk dha këshilla për kombëtaren apo trajnerin Gattuso: “Nuk ka nevojë, thjesht të bëjë atë që mendon se është më mirë, duke injoruar zërat nga jashtë, edhe nga rrjetet sociale. Ne në Botërorin 1982 u izoluam nga të gjithë; askush nuk besonte tek ne, por rezultati ishte siç ishte”.

Teilen: